SHËNDET

Zbulimi suedez/ Kanceri i prostatës mund të diagnostikohet me një test urine

Një test i thjeshtë i urinës, pa dhimbje, joinvaziv dhe që mund të bëhet në shtëpi, mund të diagnostikojë më herët kancerin e prostatës me saktësi jashtëzakonisht të lartë, madje më të madhe se analiza e gjakut që përdoret aktualisht. Ky zbulim i fundit ka hapur mundësinë e identifikimit të kancerit në fazat e hershme, duke përmirësuar rezultatin e trajtimeve për atë që është një nga shkaqet më të zakonshme të vdekjes për meshkujt.

Rezultati është për shkak të kombinimit të inteligjencës artificiale dhe analizës gjenetike, e cila ka lejuar identifikimin e treguesve të rinj të sëmundjes në studimin e publikuar në revistën “Cancer Research” nga një grup kërkimor i udhëhequr nga Instituti Suedez Karolinska. Duke analizuar aktivitetin e gjeneve në mijëra qeliza nga tumoret e prostatës, studiuesit ishin në gjendje të krijonin modele dixhitale të këtij tumori, të cilat më pas u studiuan me algoritme AI për të identifikuar proteinat që mund të përdoren si biomarkera.

Në fund, gjurmët molekulare të gjetura u kërkuan në mostrat e marra nga tumoret, në gjakun dhe në urinën e pothuajse 2 mijë pacientëve. Disa nga bio-gjurmët e pranishme në urinë janë provuar të jenë më të besueshëm, jo vetëm në zbulimin e pranisë së kancerit, por edhe fazën e tij.

“Ka shumë përparësi për matjen e biomarkerëve në urinë” – thotë Mikael Benson, koordinator i hulumtimit. “Është një test joinvaziv dhe pa dhimbje, dhe kampioni mund të analizohet me metoda rutinë në laboratorët klinikë. Biomarkues të rinj, më të saktë mund të çojnë në diagnozë më të hershme dhe prognozë më të mirë për meshkujt me kancer të prostatës. Ata gjithashtu mund të zvogëlojnë numrin e biopsive të panevojshme të prostatës tek meshkujt e shëndetshëm”, – shton studiuesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button