DRAMA/ 5 anëtarë të një familjeje jetojnë në çadër, kryefamiljari në spital me hemorragji në tru (foto e video)

Mallakastër – Në fshatin Kremenar të Mallakastrës, në një zonë që dikur njihej për bujqësi e punëtorë të ndershëm, sot ndodhet një histori e trishtë që trondit çdo zemër njerëzore. Familja shtatë anëtarëshe e Bashkim Liçajt jeton në kushte çnjerëzore, në një çadër të vendosur pranë shtëpisë së tyre të rrënuar. Banesa që iu ndërtua vite më parë, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe mungesës së mirëmbajtjes, është bërë e pabanueshme dhe rrezikon shembjen.
Në momentin e mbërritjes tonë, Bashkimi nuk ndodhej në “banesë”. Ai ishte në spitalin rajonal të Fierit, ku kishte shkuar me bashkëshorten e tij, Nexhmien, ai kishte pësuar hemorragji – mpiksje gjaku në tru.
Në çadër, mes kushteve të rënda, na pret djali i tij, Ermali, i cili tregon me dhimbje se jeta është e rëndë dhe mbijetesa çdo ditë bëhet më e vështirë, “Shtëpia është e pabanueshme. Jetojmë në çadër, thotë ai. Punë nuk ka, por unë mundohem të gjej diçka për të ushqyer familjen. Vet kam probleme në trup, nga një aksident në ushtri.”
Në një cep të kasolles së improvizuar, gruaja e Ermalit ka vendosur një sobë të vjetër hekuri. Aty gatuan, aty ngrohen, dhe aty përpiqen të kalojnë orët e ftohta të mbrëmjes: “Në këtë cep gatuaj, aty ngrohemi, aty rrijmë me fëmijën. Jeta këtu është e vështirë.”





Të ardhurat e vetme të familjes janë pensionet e vogla të prindërve të Ermalit, rreth 30 mijë lekë të rinj në muaj, të cilat shpenzohen pothuajse të gjitha për ilaçe dhe mjekime. Nga ana tjetër, bashkia e Mallakastrës i jep vetëm 4 mijë lekë ndihmë ekonomike për djalin e mitur të Ermalit: “Ne nuk kemi asgjë. Për shtëpinë nuk kemi mundësi, vetëm 4 mijë lekë ndihmë marrim. Dua vetëm një çati, që djali të mos ketë frikë të futet brenda.”
Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, në një prononcim për mediat ka deklaruar se institucioni që ai drejton nuk ka aktualisht një program për rindërtim banesash, por familjes i është ofruar një qira banese, e cila nuk është pranuar nga kryefamiljari: “Kjo është çadra e dytë që i kemi dhënë familjes. I kemi ofruar qira banese, por nuk ka pranuar.”









Ndërkohë, dimri po afron dhe temperaturat po bien çdo ditë e më shumë. Në çadrën e ftohtë, mes shiut e baltës, familja Liçaj lutet që ndërrimi i viteve të mos i gjejë më nën plastmas, por nën një çati të vërtetë.
Në sytë e Ermalit dhe fëmijës së tij të vogël, shpresë ka vetëm një fjalë: strehë.
Ai thotë me zë të ulët, por me shpirt të fortë:“Për ushqim do mundohem të punoj, por dua vetëm një çati për familjen time.”/ALB365/Xhemil Beharaj











