Rikthehet i restauruar “Fëmijët e saj”

Filmi shqiptar “Fëmijët e saj”, me skenar dhe regji të Hysen Hakanit dhe realizuar në vitin 1957, u rikthye në ekran në një version të restauruar. Pas 69 vitesh nga realizimi, vepra e prodhuar nga Kinostudio u restaurua nga specialistët e AQSHF-së, duke rikuperuar cilësinë e saj vizuale. Premiera e filmit të restauruar u shfaq mbrëmjen e 17 shtatorit në kinemanë “Drita” të Arkivit të Filmit.
Filmi u realizua nga Hysen Hakani, i cili e paraqiti si punë diplome në Shkollën e Lartë të Arteve në Pragë. Restaurimi u realizua nga specialistët Erand Meça dhe Hajrije Dedej dhe përfshiu skanimin digjital të materialit origjinal, stabilizimin e imazhit, pastrimin e dëmtimeve fizike, korrigjimin e kontrastit dhe densitetit, si dhe rikuperimin e cilësisë vizuale në respekt të autenticitetit të veprës. AQSHF shprehet se në vitin 1957, kinematografia shqiptare realizoi filmin e saj të parë artistik me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”.
“Me vetëm 13 minuta e 32 sekonda, filmi i Hysen Hakanit tregonte një histori të thjeshtë, por tragjike, një histori që, 69 vite më vonë, ngre ende pyetje shumë aktuale”, thuhet nga Arkivi i Filmit. Në rolet e filmit janë Marie Logoreci, Marika Kallamata, Naim Frashëri, Xhemal Berisha, Loro Kovaçi, Vangjeli Pikuli, Esma Agolli, Pjetër Gjoka, Bejtulla Kurtheshi. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të thellë malor të viteve ’50.
Djali i Fatimes kafshohet nga një qen i tërbuar dhe asaj i këshillohet ta çojë në qytet për trajtimin e nevojshëm. Por Fatimja zgjedh Remen, një grua që pretendon se shëron përmes praktikave magjike. Gjendja e fëmijës përkeqësohet dhe ai humb jetën. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit shprehet se filmi, përmes historisë që sjell, mbetet një vepër që mund të lexohet edhe në ditët e sotme.
“Filmi flet për përplasjen mes shkencës dhe supersticionit, frikës dhe arsyes, mjekësisë dhe besimit te “shëruesit”. Por mbi të gjitha, tregon se si një vendim i marrë me bindjen se po mbron dikë që do, mund të ketë pasoja tragjike. Dhe këtu filmi i vitit 1957 bëhet çuditërisht aktual”, thuhet nga AQSHF. Filmi tashmë i restauruar i rikthehet publikut duke ruajtur vlerat e tij artistike dhe dokumentuese.








