OP/ AN

Sa të reja janë prurjet e reja?

Në një popull si yni izolimi historik ka rrënjosur ndjenja inferioriteti ndaj të huajës.

U publikuan listat e partive të mëdha për zgjedhjet e majit 2025 në Shqipëri. Prej njëzet e ca vitesh, qysh prej kohës kur Berisha futi në skenë KOP-in (Komiteti për Orientimin e Politikave), në media e në popull komentohen listat e partive politike me një naivitet gazmor: Ky lider po ua hap derën të rinjve, ai tjetri fatkeqësisht ricikloi të vjetërit. A thua se po flitet për vitrinën e ndonjë dyqani fast-fashion që duhet të largojë veshjet e vjeshtë-dimrit e të reklamojë ato të pranverë-verës.

KOP-i s’pati ndonjë ndikim real, as intelektual e as politik, e u harrua. Një “pentito” i KOP-it më ka treguar se si më pas u përpoqën të akomodohen si këshilltarë qeveritarësh, por qeveritarët e Shqipërisë janë mjeshtra të këshillëdhënies e jo të këshillëmarrjes. Ngadalë ajo që u promovua si e re, me ndihmën e influencës të së vjetrës patjetër, u shndërrua në aksionare statusquo-së, me universitete fitimprurëse që u quajtën liberale e europiane por me kohën që ka ardhur mbase ndërrojnë emër dhe bëhen amerikane e konservatore. Erdh pas tyre Mjafti e G99 si bishta e vegla pas Ramës, me mbështetje aspak të neglizhueshme nga ambasadat e nga Sorosi i epokës së revolucioneve ngjyra-ngjyra (të cilat kushdo që ka patur aftësi e sinqeritet analitik i ka lexuar si pinkwashing). Edhe ato skema dhe të rinjtë që u prunë në politikë përnes tyre janë harruar apo do të harrohen. Erdhën e shkuan pa sjellë ku me ditë çka, pos hije dyshimi për zhytje edhe më të thellë në korrupsion, me bëma trashanike që nëse dëshmohen si të vërteta do t’ua vënë vulën jo veç si të korruptuar por edhe si budallenj. I kontribuan atdheut aq sa i mund t’i ketë kontribuar historisë së muzikës një hit i javës së tretë të korrikut 2016.

Në një popull si yni izolimi historik ka rrënjosur ndjenja inferioriteti ndaj të huajës.Kjo, shtuar me shkatërrimin e sistemit arsimor vendor, ka prodhuar mitin që shpëtimi politik do të na vijë prej bijve e bijave të arsimuar jashtë vendit. Fundja edhe Skënderbeu u bë Skenderbe vetëm pasi u kthye prej arsimit perandorak në Edrene (po edhe Enveri u bë Enver kur u kthye nga Montpellier…). Miti i shton naivitet diskutimit publik për “prurjet e reja”. Jo pak nga këto “prurjet e reja” që tashmë i kemi provuar në pozita qendrore e lokale kanë qenë të arsimuar jashtë, me gjuhë të huaja e me aftësi komunikuese për mashalla, mirëpo na dolën specialistë më të fortë se “të vjetrit” për thithje fondesh publike nga interesat private, na dolën talentë për pasurim të pajustifikuar. Jo dhe aq për përparimin e interesit publik. Aq sa, vëzhguesi që nuk e mendon thellë mund të thotë “E ç’na u deshën këta të rinjtë vjedhës, më mirë pleqtë kanë uri më pak ndaj vjedhin më pak. Kanë epsh më pak ndaj abuzojnë më pak”. Por s’janë më mirë as pleqtë.

Ndonjë vëzhgues tjetër, që e mendon pak më thellë, mund të thotë “Sa para bën të jesh i ri nëse s’ke ide të reja?”. Të thotë bashkë me Konicën se po vazhdoi magjepsja me vitrinat e dyqaneve të modës politike, atëherë në Shqipëri do të vazhdojë avazi shekullor ku i riu është më plak se plaku, është “update” i ambalazhit të plakut, por ruajtje e së njëjtës frymë antisociale e korruptive. A nuk kemi tashmë boll politikanë nga “prurjet e reja” të njëzet viteve të fundit, a nuk u ngopëm me shembuj të tillë? Akumulues pushteti të paligjshëm e respekti të pandershëm dhe shkelës e zhbërës komuniteti? A nuk vazhdojnë “prurjet e reja” të jenë moskokëçarës e ndrydhës për atë poshtë, e zëdhënës e gojëmarrës të atij lart? Njësoj si arketipi i portretizuar në “Komedinë Njerëzore” të Balzacut, arrivisti i fëlliqur, Eugene de Rastignac (a lexojnë letërsi partitë politike?).

Ndonjë vëzhgues i tretë, që mund të kuturisej edhe më thellë do të mund të thoshte se edhe idetë e reja apo morali i fortë nuk do të bënin punë në strukturat dhe organizatat ku ka alergji nga morali e hostilitet për idenë dhe idealin. Mund të shtonte se nuk mund të pritet demokratizim shoqëror e shtetëror në atë vend ku partitë s’kanë demokraci të brendshme, as transparencë, as llogaridhënie, as drejtësi. Para se të ndodhë abuzimi arrogant në teatrin e pushtetit shtetëror, ai kalon provat gjenerale në skenat brenda-partiake. Kësi janë partitë tipike postmoderne, të vjetra si profesioni më i lashtë e të reja si petalet e luleve plastike, që i mban në këmbë veç konjuktura dhe menaxhimi i pushtetit mes klikave përbërëse.

A janë të mundura ndryshimet? Po, ja një shembull konkret po ndodh aktualisht në Amerikë, madje po ndodh përmes një partie shumë më të vjetër se këto tonat. Dikush e sheh me frikë e urrejtje, dikush me admirim e adhurim, por sidoqoftë ai ndryshim i përngjan revolucionit (revolucion reaksionar e quajnë vetë ata). Dhe nuk erdhi nga ndonjë njeri i vetëm, plak a i ri, burrë a grua, as nga ndonjë “komitet qendror” i tipit mason, por erdhi nga një organizim kolektiv, afatgjatë, këmbëngulës, strategjik e taktik, që u bashkua rreth disa ideve e vizioneve për vendin e botën (të cilat dukeshin të pagjasa deri para pak vitesh, e shumëkujt ende i duken ashtu), që u treguan mjaftueshëm pragmatikë sa për të bërë front të gjerë shoqëror, mjaftueshëm këmbëngulës sa për t’i përsëritur idetë e tyre për vite e vite me radhë, e mjaftueshëm fanatikë sa për t’i hyrë me themel administratës e cila patjetër që do t’i pengonte ndryshimet e mëdha. Ndryshimi që ata po sjellin me siguri nuk do të jenë të shijes sime, por si shembull duhet marrë, për mënyrën se si mundësohet ndryshimi. Sa për të rinj, të rinj e trendy e gojëmbël qenë obamistët, po ja që…

Një proverb korsikan thotë se nëse hakmerresh pa kaluar 20 vite, nxitohesh. Ky proverb ka brenda dimensionin primitiv, atë të gjakmarrjes së lashtë evropiane që mbijetoi deri vonë nëpër ishuj e malësi të izoluara. Ne nuk jemi në kërkim të së resë që kërkon gjakmarrje, por megjithatë jemi në kërkim të së resë që premton shkëputje nga gjirizi “kap ça të kapësh”.

Proverbi korsikan ka brenda dhe një kuptim modern, politik. Për të sjellë në jetë diçka vërtet të re, një organizim të ri të shoqërisë e të diskursit, duhet punë përgatitore e gjatë që fillimisht zgjerohet demografikisht, mandej thellohet në hierarkitë shoqërore, kulturore e shtetërore. Nëse nuk ndodh kjo punë metodike, gjasat janë që je nxituar dhe “e reja s’mundet të lindet” siç thoshte filozofi Antonio Gramsci që ishte sard, njëfarë fqinje i korsikanëve. Esenca gramsciste është kjo: nuk mund ta ndryshosh vërtet shtetin, pra nuk sjell dot risi, pa hyrë paraprakisht thellë në të (në shtetin e thellë, që asokohe e në atë vend ishte gjyqësori e më tepër kisha, ndërsa sot janë administrata publike, gjyqësori, financat, media, mafia e të tjera institucione publike e private).

Gramsci ishte revolucionar marksist që vdiq nga burgu fashist, por zhbirimi dhe filozofia e tij u mbi shtetin e thellë u përdorën dekada më vonë edhe nga (neo)liberalët postmodernë (që sot po thjeshtohen për efekfe populiste te Sorosi dhe Usaidi), e akoma më vonë e njëjta formulë u përdor e ende po përdoret nga neo-tradicionalistët dhe ultrakonservatorët që sot kanë marrë hov në vende të ndryshme të botës. Steve Bannon, ultradjathtisti amerikan që në vite me radhë ka qenë kyç për përgatitjen e skenës e të narrativës ku mund të arrihej fitorja nga një Trump, është vetëdeklaruar gramscian i djathtë. Jo se teoria e Gramscit është çelës i ndryshimit dhe i të resë, asnjë teori nuk është në vetvete garanci e tillë. Por e garantuar është që pa një teori, disiplinë dhe organizim gjasat që dikush të jetë vërtet i ri apo e re, janë zero. Reduktimi i politikës në lista, i organizimit në hierarki e i rinisë në moshë janë anti-teori por edhe kusht për dështim në praktikë, për përsëritje të historive të vjetra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button

This will close in 0 seconds