Rama shpall reformë në arsim/ Taulant Muka: Ju tregoj ku ka degraduar sistemi!

Kryeministri Edi Rama ishte në mbledhjen e Konferencës së Rektorëve, ku u diskutua gjendja e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend. Në një tryezë me rektorët e universiteteve publike dhe private, Rama paralajmëroi ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, duke pranuar se korniza aktuale ligjore ka nevojë për rishikim.
“Është koha për të rivizituar Ligjin e Arsimit të Lartë, pasi tanimë ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në atë ligj ndryshimet që ka sjell koha, por edhe konstatimet e praktikës në raport me kornizën e ligjit”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një përmbysje të sistemit, por për korrektime të nevojshme, që sipas tij mund të realizohen në një kohë të shkurtër.
“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një përmbysje si në rastin kur u shkrua ligji, por bëhet fjalë për korrektime do të jetë e mundur që ta bëjmë këtë në një kohë të arsyeshme dhe ma ha mendja që nuk do presim sesionin tjetër të Parlamentit për ta përgatitur bazën e ndryshimeve.” u shpreh Rama.
(Video e plotë e takimit më poshtë)
Rama kërkoi ngritjen e një grupi të përbashkët pune, përfshirjen e universiteteve private në proces dhe riorganizimin e sistemit të akreditimeve, duke e lidhur reformën me ambicien për integrimin europian. Por për të kuptuar se pse arsimi i lartë shqiptar renditet sot në fund të rankimeve në rajon dhe në Europë ndihmon një dëshmi nga brenda sistemit, e dhënë së fundmi nga ish-zv.ministri i Arsimit Taulant Muka, në podcastin që mund ta ndiqni të plotë në linkun në vazhdim.
Taulant Muka qëndroi vetëm 10 ditë në detyrën e zëvendësministrit në nëntor të vitit 2018, pasi kishte denoncuar publikisht disa plagjiatura të njerëzve pranë kryeministrit Rama, përfshirë ministra, deputetë, kryebashkiakë etj. Por në intervistën që ka dhënë pak javë më parë ai thotë se ato 10 ditë mjaftuan për të kuptuar se sistemi nuk kishte as vullnet dhe as strukturë për të ndryshuar.
“Kjo është një histori që ka pas një impakt shumë të madh në jetën time. Qëndrova 10 ditë. 10 ditë pune dhe kanë qenë shumë madje. Aty kuptova se askush nuk kishte dëshirë të punonte, askush nuk kishte dëshirë të ndryshonte. Gjithçka ishte e lidhur me të dukurin, me formën, por jo me përmbajtjen. Ti coje emaile nuk përgjigjej askush në email, se ishe në grup ëhatsapp. Ti kërkoje takim me ministren e arsimit dhe në momentin që e merrje nuk flisje për reformën, por flisje pse ke komentuar këtu në Facebook, apo në rrjetet sociale, të gjurmonin se çfarë bëje ti në rrjetet sociale. Imagjino nuk ishte paguat telefoni i ministrisë për 3 vite dhe duhej të përdorje telefonin tënd personal për të gjitha komunikimet. Nuk ekzistonte protokolli. Kur thirra drejtoritë më të rëndësishme të arsimit të lartë edhe ishte edhe sekretarja në atë kohë, edhe unë vendosa një protokoll të rëndësishëm, ne e protokollonim. Institucioni ka memorie. Për çdo takim mbahej protokoll. Ata u habitën. “Pse po mban protokoll ti?” më thanë. Por është gjëja më normale. Unë kur të largohem dua t’i mbaj të shkruara çdo gjë që ka ndodhur në këtë institucion. Por aty çdo komunikim bëhej në ëhatsapp dhe merreshin vendimet në kafe. Dhe merrej vendimi, por nuk e shikoje se cili ishte procesi që kishte çuar te vendimi. Dhe kjo për shkak të gjithë procesit korruptiv të ndërtimit të shtetit dhe e shohim sot me të gjitha skandalet që kanë kapur ministrat apo kryetarët e bashkive sot.”
Në këtë rrëfim, ai përshkruan një administratë pa rregulla, pa dokumentim dhe pa përgjegjësi, ku vendimmarrja ishte informale dhe e kontrolluar nga pak individë.
Jo vetëm kaq, por sipas Mukës, në administratën e ministrisë së arsimit ishin infiltruar dhe promovuar edhe njerëz që kishin probleme me ligjin.
“Unë vija nga një kulturë tjetër. Nuk kisha atë hierarkinë. I trajtoja të gjithë njerëzit njësoj të barabartë. Kishte persona që më vinin në zyrë, donin të bënin diçka, por nuk kishin fuqinë. Pasi kishte dy pushtete, ishte ministrja dhe shefi i administratës se këta ishin personat që kontrollonin gjithçka. Plus në pozicionet kyçe ishin vendosur njerëz që kishin probleme me ligjin. Për shembull, drejtoresha e inspektoriatit, ajo që do të hetonte të gjitha procedurat dhe diplomat false, ajo vetë kishte diplomë false. Dhe kjo është skandal. Kishe ministren e arsimit që thoshte unë kam qenë ekselente dhe i dolën notat me mesataren 6. Pra është i gjithë sistemi i punësimit përmbys. Njerëzit me vlera janë në fund të sistemit, kurse njerëzit pa vlera ishin në majë të piramidës”
Muka thotë se e kuptoi shpejt se do të shndërrohej në një figurë dekorative, pa asnjë mundësi reale për reformën që ai kishte shpresuar se do të ndërmerrte dhe të cilën ia kishte prezantuar Ramës para se të merrte emërimin.
“Unë kuptova që në radhë të parë, atë pozicion nuk do të bëja asgjë. Thjesht do të bëhesha një burokrat më shumë në sistem që nuk e kisha nevojë. Pra nuk nuk isha një njeri pa formim, si shumica e zv.ministrave që marrin, që i marrin njerëz të panjohur, që atë pozicion e shohin si një gjë shumë e madhërishme që “Unë kam arrit diçka”. Kisha një karrierë timen”
Pas kësaj ka ardhur edhe një telefonatë nga kryeministri Rama që sipas Mukës, u shoqërua me një reagim agresiv, plot fjalë banale.
Nga kjo eksperiencë studiuesi thotë se ka kuptuar më shumë nga qeverisja në Shqëpëri, që sipas tij është një qeverisje e dhunshme, ku promovohen të paaftët, hajdutët dhe kriminelët dhe që ai e përmbledh me dy fjalë si “qeverisje psikopatike”.
“Nuk jam përballur me kërcënime, ndoshta për shkak të jetës që kam ndërtuar jashtë. E vetmja telefonatë ka qenë ajo e kryeministrit të vendit që më këputi ca të shara kur unë u largova një muaj më pas. Ku më këputi disa të shara. Nuk e kujtoj mirë, e mbaj mend që e kam postuar në rrjetet sociale. E vetmja telefonatë që kam marrë ka qenë ajo e kryeministrit. Ishte një fjalor banal, ordiner, që përfaqëson të gjithë sistemin. Unë i them sistem psikopatik. E kam treguar kur u largova si zv.ministër, kur kryeministri më sulmoi në protestat e studentëve unë e kam shpjeguar. Ne kemi një qeverisje psikopatike, një qeverisje që është përqëndruar tek dukja, tek shoë, tek fasada. Një qeverisje që miksohet me të fortët, me hajdutët me kriminelët, një qeverisje e dhunshme, sepse dhuna sot nuk është vetëm dhuna fizike, por është kur të shkatërron karrierën, të të heqë mundësinë e zhvillimit, të të largojë nga vendi. Të gjitha kriteret e psikopatisë i ka kjo qeverisje në formën e vet. Ose ministra që para se të arrijnë janë askushi, pastaj zbukurohen, veshin ato kostumet e shtrenjta dhe e gjithë prezenca e tyre është make-up që ato veshin, por aspak truri apo përmbajtja që ata kanë. Kjo është gjendja ku jemi. Të gjithë klasën politike e barazoj për atë që kanë bërë për arsimin dhe shëndetësinë”
Për Taulant Mukën, gjendja aktuale e arsimit dhe largimin masiv të intelektualëve nuk është një rastësi, por pasojë e një procesi që ka nisur me shekuj. Për ta përmbledhur, vlen një krahasim historik që ai bën, mes Edi Ramës dhe Enver Hoxhës, dy personazhe që studiuesi i sheh njësoj në qasjen që kanë ndaj intelektualëve.
“Këtë ka bërë Enver Hoxha me klasën intelektuale dhe këtë po bën sot qeveria aktuale. Shkatërron ose largon pjesën e ditur të shoqërisë dhe mban pjesën që i shërben klasës politike. është e njëjta situatë sot. Sot intelektualët po i përzënë nga vendi. Ne jemi populli me largimin më të madh të trurit në Europë, një nga 10 popujt me largimin më të madh të trurit në botë. Edhe vendet që janë në luftë, nuk kanë këtë largim të të arsimuarve sa vendi jonë. Kjo është përgjegjësi e klasës politike, sepse të arsimuarin e ka bërë si armik se nuk i shërben kauzave politike për pushtet” shprehet Taulant Muka.
Po të ndjekësh Edi Ramën kur flet për arsimin e lartë, nga ai dëgjon shpesh fjalët “ndërkombëtarizim” apo “modernizim” për arsimin e lartë, ndërsa nga rrëfimi i Taulant Mukës zbulon një pamje tjetër, që përshkruhet më saktë nga mungesa e meritës dhe vendimmarrja jashtë çdo rregulli institucional.
Për këtë arsye, çdo ndryshim i ardhshëm në ligjin e arsimit të lartë nuk mund të merret apriori si lajm i mirë, por duhet parë me kujdes për pasojat që sjell në praktikë. Sepse kryeministri që sot paralajmëron ndryshime në ligj, nuk e ka për gjë të diskriminojë studentët shqiptarë me vendimet e tij, si në rastin e Kolegjit të Europës që Taulant Muka e tregoi gjatë bisedës që pati në podcast.
“Universiteti i Tiranës ka Institutin e Studimeve Europiane që jep diploma të ngjashme me Kolegjin e Europës. S’ka si të lejosh ti brenda universitetin Kolegjin të veprojë. Sepse ti ke diploma që duhet t’i shtosh vlerën që të kenë konkurencë ndërkombëtare. Ti ça i thua? I thua 22 mijë studentëve shqiptarë që ka universiteti i Tiranës “E di ç’keni ju? Largohuni që këtu!” Se ata nuk kanë ambjente dhe po i marrim ne për këta 30 apo 40 studentë. Pse ç’janë këta? Janë më të mirë këta? Ne diskriminohemi jashtë, por këtu diskriminohemi më keq” u shpreh ai.











