POLITIKË

Gjekmarkaj: Berisha është aset i pashmangshëm i PD-së, nuk duhet të largohet

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka folur për situatën politike në vend dhe për të ardhmen e PD-së, duke u ndalur në rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha brenda forcës politike që ai themeloi.

Gjekmarkaj vlerësoi kontributin e Berishës në politikën shqiptare, duke theksuar se askush nuk ka luftuar më shumë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe pas një periudhe të vështirë që ai kaloi në arrest shtëpiak.

“Askush nuk ka luftuar në mënyrë kaq të paepur si Sali Berisha për zgjedhje të lira e të ndershme. Ai është futur në zgjedhje pas një viti arresti shtëpiak të padrejtë, pas ndarjes nga partia dhe elektorati. Si askush tjetër, e ka argumentuar çdo ditë gjatë verës me prova të pafundme se zgjedhjet ishin një farsë,” deklaroi Gjekmarkaj.

Në lidhje me të ardhmen e Berishës në Partinë Demokratike, Gjekmarkaj tha se roli i tij në parti nuk përcaktohet nga dëshira e individëve, por nga mbështetja që ai vazhdon të ketë në bazën demokrate.

“Berisha është një aset i pashmangshëm i historisë dhe i PD-së. Raportin e tij me partinë nuk e përcakton vullneti i askujt, por e ndan mbështetja e demokratëve,” shtoi ai.

Sipas Gjekmarkajt, PD përballet me sfida shumë më të mëdha se sa debatet mbi drejtimin e saj, duke theksuar nevojën që opozita të përqendrohet në luftën për një jetë më të mirë për qytetarët.

“Ne kemi sfida shumë më të mëdha sesa të hamendësojmë për të ardhmen. Çdo ditë duhet të luftojmë për t’u dhënë shqiptarëve një jetë më të mirë,” përfundoi deputeti demokrat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button