Veliaj në burg, Rama thërret mbledhjen urgjente

Edi Rama nuk është i qetë pas arrestimit të Erion Veliajt. Ose së paku kështu shfaqet apo dëshiron ai që të duket në sytë e opinionit publik.
Pas vizitës që bëri sot në Bashkinë Tiranë, ku pati një bisedë me nënkryetarët dhe iu kërkoi të vazhdojnë punën sikur asgjë të mos ketë ndodhur, kreu i mazhorancës ka thirrur nesër në mëngjes mbledhje të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Siç mëson Lapsi.al, mbledhja do të mbahet në orën 09:00 në Kryesinë e Kuvendit. Rama do t’u drejtohet deputetëve të tij me një mesazh.
Nuk dihet nëse fjala do të jetë publike apo jo. Sot përmes një deklarate, Rama sulmoi hapur SPAK, teksa tha se “ka dalë nga shinat” dhe se arrestimi i Erion Veliajt ishte në shkelje të standardeve.
Po kështu Rama paralajmëroi një lëvizje tjetër të PS për të ridimensionuar raportin me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbledhja e nesërme është jashtë radhe pasi një ditë më parë Grupi i PS e zhvilloi një mbledhje nën drejtimin e Niko Peleshit. Me siguri Rama kërkon të japë një mesazh tek të vetët teksa ka nisur tashmë edhe fushata elektorale dhe me rënien e Erion Veliajt, PS pëson një goditje jo të vogël.