Friday, April 19, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTAZyrë sekrete e policisë kineze në Nju Jork, FBI arreston 2 persona

Zyrë sekrete e policisë kineze në Nju Jork, FBI arreston 2 persona

Prokurorët amerikanë kanë arrestuar dy kinezë në Nju Jork që dyshohet se drejtonin një “stacion policie sekret” në lagjen Chinatown të Manhatanit. Liu Jianwang, 61 vjeç dhe Chen Jinping, 59 vjeç, të dy banorë të Nju Jorkut, përballen me akuzat për komplot për të vepruar si agjentë për Kinën dhe pengim të drejtësisë. Ata pritet të dalin në gjykatën federale në Bruklin të hënën. Kina ka mohuar më parë funksionimin e stacioneve të tilla, duke i quajtur ato “qendra shërbimi” për shtetasit jashtë shtetit.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha këtë të hënë se Jianwang dhe Jinping kishin punuar së bashku për të krijuar stacionin e parë të policisë jashtë shtetit në Shtetet e Bashkuara në emër të Ministrisë së Sigurisë Publike të Kinës. Zyra u mbyll në vjeshtën e vitit 2022 pasi personat e përfshirë morën vesh për një hetim të FBI-së.

“Ky hetim penal ka zbuluar një shkelje flagrante të sovranitetit të kombit tonë nga qeveria kineze duke krijuar një stacion policie sekrete në mes të qytetit të Nju Jorkut”, – tha Breon Pearce, kryeprokurori i Brooklyn. Ky stacion sekret policie besohet të jetë njëri nga 100 të tillë që operojnë në 53 vende të botës duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Holandën. Muajin e kaluar, qeveria federale e Kanadasë zbuloi një hetim në dy vende të zonës së Montrealit ku mendohet se kishte posta të policisë kineze.

“Veprimet e Kinës shkojnë shumë përtej kufijve të sjelljes së pranueshme të shtetit-komb. Ne do të mbrojmë me vendosmëri liritë e të gjithë atyre që jetojnë në vendin tonë nga kërcënimi i represionit autoritar” – tha ndihmësprokurori i përgjithshëm Matthew Olsen nga Divizioni i Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë.

Sipas prokurorëve, Jianwang ishte i lidhur ngushtë me autoritete kineze të zbatimit të ligjit. Ai ishte angazhuar për të ndihmuar Kinën me “aktivitete represive” në SHBA duke filluar nga viti 2015 për të mbikëqyrur disidentët kinezë.

Në vitin 2018, ai dyshohet se mori pjesë në përpjekjet për të shtyrë një të arratisur që të kthehej në Kinë. Puna e tij ishin ngacmimet dhe kërcënimet e përsëritura ndaj individit dhe familjes së tij. Prokurorët thanë se ai ishte gjithashtu i angazhuar për të gjetur një aktivist pro-demokracisë në Kinë. Jiangwang i mohoi këto veprime kur u përball me autoritetet amerikane. Nëse dënohen, Jianwang dhe Jinping përballen me 25 vjet burg.

Ambasadat kineze në SHBA dhe Kanada kanë thënë se këto baza janë “stacione shërbimi jashtë shtetit” të hapura gjatë pandemisë për të ndihmuar shtetasit kinezë me rinovimin e patentës së shoferit dhe çështje të ngjashme. Por grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Kinën për përdorimin e postave sekrete të policisë për të kërcënuar dhe monitoruar shtetasit kinezë jashtë vendit. Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha nëntorin e kaluar se agjencia e tij po monitoronte raportet e stacioneve të tilla, duke i quajtur ato një “problem real”.

“Për mua, është skandaloze të mendosh se policia kineze po përpiqet të hapë zyra në Nju Jork, pa koordinimin e duhur. Kjo cenon sovranitetin dhe anashkalon proceset standarde të bashkëpunimit gjyqësor dhe ligjzbatues” – tha Wray

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME