Friday, October 18, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËDUHET TA PRANOJMË, NA KANË MUNDUR

DUHET TA PRANOJMË, NA KANË MUNDUR

Nga Zylyftar Bregu – Vrasja e vogëlushes nga një punonjës policie teksa pushonte në bregun e detit duke bërë kalanë imagjinare të jetës së saj ,ka tronditur këdo që ka lexuar këtë lajm. Dhjetra mesazhe ngushëlluese, mllefi, proteste, mallkimi kam lexuar nga miqtë ,kolegët nga Kosova e Maqedonia (veç publikut vendas).


Natyra dhe rrethanat e vrasjes së vajzës së mitur, kanë provokuar trishtim, mllef, inat, protestë ,mallkim por i ka bërë më fatalistë shqiptarët. “Ky vend nuk bëhet”!


Si mund të vrasësh edhe me plazhet bosh?
Paralelisht me reagimin e publikut, ekspertët e manipulimit të opinionit organizohen për të hequr njollën e turpit të atij që me një fjalë quhet shtet.


Meqë lajmi është malli që skadon më shpejt se çdo produkt tjetër, veti që e dinë më së miri agjentët e marrëdhënieve publike, ai u zëvendësua shumë shpejt me një njoftim për shtyp të Policisë së Shtetit.

Reaguam!Pezullojmë oficerin e policisë! Dhe me një përkujdesje shumë të hollë, autorin e krimit, nga oficer policie e quajmë ish-oficer policie.
Oretkut të mallkimit, sidomos në rrjetet sociale i hedhim dy kova me akull; e shikoni sa shpejt reaguam (e vërtetë); konfuzon audiencën (opinion), autori është ish oficer apo oficer në detyrë.


Pas këtij vijnë edhe një lumë email-esh të tjera me njoftime për shtyp. Nga Autoriteti i Mbikqyrjes Policore, nga Ministria e Mjedisit ,e Turizmit ,bashkitë përkatëse, Autoritetet pa autoritet të autoriteteve, inspektorët që inspektojnë vetëm hotelet ku shkojnë për të përfituar ulje çmimi, e kushdo tjetër.


Qëllimi i qartë:Të frenojmë egërsinë e rrjetit, të konfuzojmë ata që dëgjojnë. Në fund të gjithë këta ndahen në dy grupe e në vend të merren me lajmin, merren me lajmësin.
Të nesërmen, specialistët e marrëdhënieve publike hedhin në treg vaksinën që bën të mundur “sindromin e harresës”. E lajmi del nga axhenda e raportimit. Lajmi nuk ndiqet. Autoritet e kanë larë fytyrën me njoftimin që bëjnë shpejt e shpejt pasi ndodh tragjedia.


Po të mos kishte ndodhur kështu, media duhet t’i shkulte dhëmbët drejtuesëve të autoriteteve që monitorojnë plazhet, atyre që licensojnë skafet e vdekjes, atyre që kontrollojnë ,qëkur ndodhi ngjarja e parë e deri më sot.


Këto janë ngjarje që nuk mund të trajtohen si “fishekzjarret” e kronikave të zeza. Kanë nevojë për artikuj të veçantë ,artikuj të thelluar, reportazhe ,artikuj investigativë.


Nuk jam i sigurtë ,nëse edhe pasi gazetarët do të kishin bërë këtë punë, autoritetet do të kishin fuqi që të ndalonin një oficer policie që të bënte atë që bëri sot.


Por të paktën do të ndiheshin krenarë se kishin bërë atë që duhej.


Sepse, të nderuar kolegë duhet të prano(ni)jmë: Zyrtarët e Marrëdhënieve Publike e kanë fituar garën me gazetarët. Edhe nëse nuk arrijnë të fshehin një informacion, e sigurtë është që e shtrembërojnë atë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME