Dalin detaje të reja nga laboratori i drøgës që u zbulua në një fshat të Fierit. Operacioni ishte bashkëpunim i DEA-s amerikane, policisë shqiptare dhe asaj malazeze.
Siç duket edhe nga pamjet që lapsi.al ka siguruar nga fshati Fratar, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur kamionë që kanë marrë thasët e mbushur me pleh kimik. Brenda të cilëve dyshohet se ishte përzierë kokaina.
Lënda është sjellë prej Fierit në Tiranë për t’u vlerësuar. Droga përpunohej nga dy kolumbianë, që si ambient pune kishin banesën e ish-kryekomunarit Viktor Çervanakut. Ky i fundit punon aktualisht si drejtor në Bashkinë e Tiranës.
Burime nga policia thanë se deri tani janë zbuluar rreth 400 kg pleh kimik të përzier me kokainë. Ngarkesa kishte ardhur nga Kolumbia. Ajo ishte sjellë prej kohësh, por SPAK dhe partnerët kishin 3 muaj që i vëzhgonin.
Të njëjtat burime thanë se të angazhuar kanë qenë mbi 60 oficerë të Policisë së Shtetit. Edhe pse nuk ka emra, mendohet se deri më tani kanë rënë në pranga rreth 15 persona. Mes tyre ka edhe porositës të drogës, transportues dhe përpunues.