“Virgjëresha” e Roskovecit dhe Diella…

Nga Thoma Goga
Papritur u ngritën në alarm edhe shenjat e horoskopit. “Lufta kundër korrupsionit” – kjo ishte tema e takimit të radhës. Në tavolinën ovale të gjithë janë të barabartë. Po fjalën e merr Luani, si më i forti:
– Hapni sytë e mos u merrni me korrupsion. Bëni detyrën që u ngarkon sistemi “i drejtësisë” në galaktikë. Kujdes, se ka dalë një shenjë e re me sëpatë në dorë. Emrin e ka SPAK…Ka dalë dhe një ministre e re. Emrin e ka Diellë, po nga jashtë duket si hënë e “pangrënë”… Ruhuni se edhe kjo është e uritur. I ka dhëmbë digjitalë të sapo vënë…
– Kështu thonë të gjithë, po sistemi i drejtësisë fut në rrjetë vetëm sojin tonë, – u hodh një nga Peshqit, që fshinte lotët.
– O zoti Leone, pse nuk vjen Virgjëresha në mbledhje?- pyeti Demi.
– Ka paraqitur një raport mjekësor, sqaroi Luani.
– Edhe në mbledhjen e kaluar ishte me raport, – shtoi Bricjapi.
– Sa herë mblidhemi për antikorrupsion, nxjerr raport mjekësor. Duhet parë kjo punë,- u revoltua Dashi.
– Ashtu them dhe unë,- përforcoi Gaforrja.
– Edhe kur shkojmë për kontroll në territorin e saj, nuk e takon dot. Është bërë si mbretëreshë, -ngriti zërin Shigjetari.
– Para ligjit jemi të gjithë të barabartë,- foli Peshorja.
– Ndaj të ngremë një komision hetimor e të analizojmë Virgjëreshën. Fjala e “drejtësisë” zuri vend. Në komision u fut Akrepi, Shigjetari, Ujori dhe një nga Binjakët. U verifikuan aktet që kishte firmosur Virgjëresha, u intervistuan dhe përfaqësues nga komuniteti. Sipas analizës dilte se ajo ishte e kredhur keqas në korrupsion. Po faktet konkrete i ka fshehur. Është ustalleshë në kësi punësh.
– S’kemi ç’të bëjmë. Del pa lagur fare. Nga jashtë “Mbretëreshë” dhe “ustalleshë”, nga brenda Virgjëreshë, – tha Ujori.
– Të hetojmë më thellë,- u hodh Shigjetari.- Të shikojmë raportet mjekësore. Kur u analizuan raportet mjekësore, ç’të shikoje!
– Të vësh duart në kokë, – ulëriu Akrepi.- Sa herë Virgjëresha mungon, qepka me operacion “vrimën” e korrupsionit. Qep e shqep i është zgjeruar vrima si tuneli me kthesa i Kalimashit…
– Prandaj ka bërë aq pasuri sa ia kalonte dhe një mbretëreshe, – u hodh Binjaku. – Dhe ju kërkoni fakte. Ku t’i gjesh faktet?! Ato janë brenda në “tunel”…Pastaj shkon dhe qep “tunelin”.
– Ata që dinë të vjedhin, dinë edhe të fshehin, -foli Luani dhe konferencës i vuri kapak.- Është i vjetër ky zanat.
– Po me komisionin hetimor, çfarë do bëjmë?- pëshpëriti Ujori.
– Të fshijmë sumatriçen e ta hedhim në kosh. Ustallesha di ta dredhë; –
“Mbretëreshë” nga lart e Virgjëreshë nga poshtë… Ndaj çuditet njerëzia. Ca thonë se ja ka zënë grykën me para drejtësisë. Të njëjtin marifet përdor edhe për median investigative, që të ruajë surratin e përdalë. Pastaj hidhet e përdridhet, se i duket që e “hodhi lumin”. Po s’ka lumë që e lanë këtë zullum. Ca thonë se e mbron partia me parullën “Ec përpara…”. Tashti që doli Diella, po gëzon dhe Virgjëresha. Në fund të fundit janë të një partie. E keni vënë re? Virgjëresha hyn e del në SPAK, po drejtësia nuk di nga ta kap. Nuk di apo nuk do, këtë nuk e dimë as unë e as ti. Kështu ndodh kur zullumi mbulohet me zullum. Prandaj populli thotë; “Politika nuk është prostitutë, po kurvë”…












