AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

“Nafta ringjall interesin e të rinjve,  por jo sa duhet për të mbajtur ndezur degën e naftës në Fier” (foto e video)

Fieri, një prej zonave më të pasura me naftë në vend, dikur njihej edhe për shkollat që përgatisnin kuadro të mesëm në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të saj. Pas disa vitesh ndërprerjeje, këto degë janë rikthyer, por tashmë nën çatinë e shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” në Fier.

Lajmet pozitive që vinin nga kërkimet në pusin e Shpiragut sollën një frymë optimizmi dhe një fluks regjistrimesh në degën e naftës. Por këtë vit, panorama ka ndryshuar. Pas situatës së krijuar rreth kompanisë Bankers Petroleum në Marinzë, interesi për këtë degë është zbehur, dhe për herë të parë pas disa vitesh, ajo nuk u hap për mungesë numrash.

Drejtoresha e shkollës, Arta Leka, konfirmon këtë fakt dhe shpjegon se, pavarësisht vështirësive, shteti mbështet financiarisht nxënësit që ndjekin degët e naftës,  si në arsimin e mesëm, ashtu edhe në atë të lartë.

Sipas saj, shumë prej të diplomuarve të kësaj shkolle janë tashmë të punësuar në kompani publike dhe private të sektorit të naftës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Edhe inxhinieri i naftës, Bledi Lamkaj, që jep lëndët profesionale, thotë se interesi nuk mungon plotësisht. Në bankat e kësaj shkolle janë ulur nxënës nga Fieri, Patosi, Mallakastra dhe zona të tjera naftëmbajtëse të vendit. Një pjesë e mirë prej tyre vazhdojnë studimet e larta në këtë fushë.

Vetë nxënësit e degës thonë se e kanë zgjedhur me dëshirë këtë drejtim, edhe pse shumë prej tyre nuk vijnë nga familje që kanë pasur lidhje me industrinë e naftës. Për ta, kjo është një mundësi për një të ardhme të sigurt dhe me pagesë të mirë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Dikur, shkollat profesionale për industrinë e naftës funksiononin në Patos, Kuçovë dhe Ballsh, por me kalimin e viteve, këto degë u mbyllën për mungesë interesi dhe për shkak të rënies së vëmendjes ndaj një industrie që për dekada ka qenë shtylla e ekonomisë shqiptare.

Sot, shkolla “Petro Sota” përpiqet ta mbajë gjallë këtë traditë, me shpresën se rigjallërimi i industrisë do të sjellë sërish më shumë të rinj që duan të gjejnë të ardhmen e tyre në nëntokën e pasur të Fierit. ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button