SPORT

Bylis humbet në Tiranë: 3 gafa flagrante e Vachoux lë fushën në fitoren e Vorës

Vora ka marrë një fitore të thellë ndaj Bylisit në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Superiores, e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sfida u mbyll me shifrat 4-1 për vendasit. Por përtej rezultatit, takimi do të mbahet mend për një episod të pazakontë e të rrallë në elitën e futbollit shqiptar.

Momentet më të çuditshme të ndeshjes u regjistruan në minutën e 42-të. Portieri i Bylisit, Vachoux, vendosi të braktisë ekipin në mënyrë demonstrative. 31-vjeçari protestoi duke hequr fanellën dhe duke dalë nga fusha e lojës, në një kohë kur Vora po kryesonte takimin. Për këtë veprim, arbitri kryesor Ermir Çelaj e ndëshkoi me karton të verdhë.

Ndeshja, e cila kishte nisur me pritshmëri të larta pas fitores 2-1 të Bylisit në Ballsh në fazën e parë, u shndërrua në një “estradë” gabimesh për ballshiotët. Vora përfitoi maksimalisht, duke shënuar katër gola falë Ruzgis, Gecit dhe dopietës së Kasallës. Golin e vetëm për Bylisin e realizoi Mustapha, në një takim ku u evidentuan shumë gabime në të dy repartet.

Pas largimit të Vachoux, stafi teknik i Bylisit u detyrua të aktivizojë Renato Beqajn. Ky i fundit u kap i papërgatitur për të hyrë menjëherë në lojë, duke reflektuar edhe më kaosin në radhët e miqve.

Me këtë sukses, Vora ngjitet në kuotën e 19 pikëve dhe renditet në vendin e 7-të të klasifikimit. Nga ana tjetër, Bylisi mbetet me 18 pikë dhe zbret në “zonën e ftohtë”, i 8-ti në tabelë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button