Niveli i lartë i paraburgimit, Lubonja: Rama u shqetësua pas rastit të Ballukut

Analisti Fatos Lubonja mendon se kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e paraburgimeve buroi nga vetë kryeministri Edi Rama për shkak të problemit që ai ka me zv/kryeministren e shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur nga SPAK-GJKKO, Belinda Balluku.
Nga studio e “Kjo Javë” në News 24, Lubonja shpjegoi se kjo lëvizje për të marrë një vendim që të ndalohen paraburgimet masive nuk vjen nga ndjeshmëria e pushtetit për qytetarët dhe individët, sepse kjo sipas tij u pa edhe te skena e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta, por bëhet për shkak se “të vetët po hyjnë në burg”.
Analisti mendon se qëllimi është për të “parandaluar arrestimet e mëtejshme të zyrtarëve”, përfshi këtu edhe Belinda Balluku.
“Kjo për mua ka buruar nga politika, sepse ka buruar kur foli Edi Rama, për problemin e madh që kemi ne për paraburgimet, për shkak të Belinda Ballukut. Pra nuk ishte shqetësim nga avokati dhe shkoi te Gjykata, por erdhi si presion dhe formalizim ndaj Gjykatës, kështu e mendoj unë. Unë nuk mendoj se kërcënohet t reforma në drejtësi, por është e bërë për qëllimet e kësaj partie në pushtet”, tha Lubonja.
Dhe për ta ilustruar ai solli shembullin e Ilir Metës, teksa shtoi se kjo çështje nuk meriton debat sepse është e qartë se nga ka lindur si nismë dhe qëllim.
“Kaq, nuk meriton shumë debat kjo. Unë e pranoj idenë se mbajmë njerëzit në burg, i duam në burg, kemi idetë e të kaluarës etj. Por kjo nuk u nis nga ky shqetësim. Boll të shikosh si u arrestua Ilir Meta, që ishte një lloj figure, për të parë se çfarë ndjeshmërie kanë këta”, vijoi ai.
Por përse është ndërmarrë nisma për të rishikuar praktikën e masave të paraburgimit në Gjykatën e Lartë?
“Kjo thjeshtë është për të zgjidhur problemet sepse kanë hyrë vetë, të vetët në burg, kaq”, tha Lubonja.









