Shqipërinë e gëzofshin kolonizatorët, hajdutët dhe turistët e rastit!

Nga HENRI FERRO
Në një status të fundit si qytetar i Shqipërisë, dua të shpreh një mllef të cilin vitet ma vendosën me dhunë në gjoks.
Mu desh që brenda 3 viteve të fundit të përshëndetesha me njerëzit e mi më të shtrenjtë. Nisi me miqtë e mi të dashur të cilët sot, pjesa dërrmuese ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, për një jetë më të mirë. Ka qenë e vështirë teksa numri i miqve që merrja në telefon për të pirë një kafe alla shqiptarçe po zvogëlohej drastikisht.
Sot më duhet t’i them lamtumirë familjes, kushërinjve, miqve të mbetur e kujtdo që ka pasur dhe ka peshë në jetën time.
Përherë i them mamasë sime sesi kjo do të ishtë një situatë e evitueshme nëse mbi ndërgjegjen dhe moralin e atyre që sot shesin mend për Shqipërinë moderne, do të kalonte tangent mendimi që puna që kanë bërë në këto vite ka qenë denigruese, shkatërruese dhe mbytëse.
Të thuash mirupafshim dhemb. Të jetosh në një vend që të ndrydh ëndrrat, dhemb akoma dhe më shumë. Ndaj këto fjalë më dalin instiktivisht me qasje negative. Nuk ka sesi të jetë ndryshe. Lindëm në një sistem të trazuar, jetuam me shpresën se ky sistem do të na jepte një bazë të qëndrueshme dhe po largohemi me bindjen e plotë se vendi ku donim të thurrnim ëndrra na i shpërdrodhi ato me apatinë e një Eichmanni.
Shqipërinë e gëzofshin kolonizatorët, hajdutët dhe turistët e rastit!









