OP/ AN

Flakët lart, Rama shtrirë!

Nga Petrit Vasili

Flakët harbohen gjithnjë e më lart, ndërsa Rama është gjithmonë e më i shtrirë në shezllongun e tij të dashur.

E pabesueshme, por e vërtetë: kryeministri i vendit shkruan mesazhe nga plazhi, ndërsa vendi është pushtuar nga flakët.

Çdo qenie njerëzore që ka turp dhe ndërgjegje, reagimin e parë instinktiv e ka solidaritetin dhe ndihmën ndaj dikujt që është në hall. Mendo pastaj për ata që e kanë detyrë dhe paguhen për këtë, siç është rasti i Edi Ramës.

Por Edi Rama nuk mund t’ia prishë shullëngun e tij në shezllong, poshtë çadrës në bregdet: pushimet, plazhin, shëtitjet me varkë në det, dëfrimet me dreka e darka, sepse na paska rënë zjarr i madh në Krujë.

Çdo kryeministër tjetër do të linte gjithçka, do të mblidhte qeverinë, shtabet e emergjencës, do të ngrinte në këmbë të gjithë logjistikën shtetërore e private, do të kërkonte ndihmë ku të mundte jashtë vendit dhe, mbi të gjitha, do të shkonte vetë atje ku flakët po bënin kërdinë.

Kryeministrat e botës kanë lënë takime ndërkombëtare nga më të rëndësishmet kur vendet e tyre kanë pasur probleme me zjarret dhe përmbytjet, ndërsa Edi Rama rri shtrirë për qejf të tij, me plazh, se gjoja e kanë votuar 800 mijë.

Pra, e kanë votuar 800 mijë që t’i lërë pa ndihmë, që të digjen.

Por ky kryeministër sadist, i cili kënaqet nga fatkeqësia e të tjerëve, shkruan mesazhe në Facebook dhe X, sikur e paguajnë për gazetar.

Ky Rama shkruan mesazhe ndërkohë që e ka lënë vendin prej vitesh pa blerë avionë kundër zjarrit dhe me automjete të vjetruara.

Ky Rama, që u hodh përpjetë për Kanye West dhe la çdo gjë që ta priste dhe ta sajdiste, për Krujën nuk lëviz nga vendi dhe nuk i prish pushimet.

Shkurt e thjesht, ky kryeministër është turpi më i madh i ulur në atë karrige.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button