KULTURËTOP-NEWS

Albert Vataj: Një ditë në shtëpinë e Aleksandër Meksit

Një ditë në shtëpinë e Aleksandër Meksit, studiuesit që bëri gurët të flasin dhe përkatësinë të dëshmojë

Nga Albert Vataj

Pata privilegjin të jem pjesë e grupit të xhirimeve për emisionin “Koha Jonë Debat” të Nikoll Lesi. Ishte një nga ato angazhime profesionale që nisin si një takim pune dhe përfundojnë si një përballje me historinë, kujtesën dhe madhështinë e heshtur të dijes.

Kur mbërritëm, trokitjes sonë në derë iu përgjigj vetë ai, Aleksandër Meksi.

Ishte një nga ato çaste kur realiteti të duket më i rëndë se imazhi që ke krijuar në mendje. Përballë nesh u shfaq një burrë shtatshkurtër, i thinjur dhe me barrën e viteve mbi supe, por me një energji të pazakontë.

Asgjë demonstrative, asnjë gjest teatral, asnjë përpjekje për të imponuar praninë. Dhe pikërisht aty qëndronte forca e tij.

Na priti në studion e vet.

Një skrivani, dy kolltuqe me veshje lëkure, libra gjithandej. Rafte që nuk dukeshin si dekor intelektuali, por si një organizëm i gjallë pune.

Çdo libër kishte vendin e vet. Çdo bllok shënimesh, çdo letër, çdo dokument dukej i vendosur nga një dorë që vazhdonte të jetonte në disiplinën e mendimit.

Shtëpia ishte modeste. Jo shtëpia e një ish-kryeministri, por e një intelektuali që ishte mjaftuar të kishte si pasuri dritën e dijes, diellin e mendimit, të blatuar për vetëdijen tonë identitare.

Po, Aleksandër Meksi reflektonte atë fisnikërinë e rrallë të njerëzve të ditur.

E kisha imagjinuar ndryshe takimin me këtë burrë të madh të politikës dhe dijes. Por asgjë nuk ishte më mbresëlënëse sesa të ndodheshe aty ku një mendje si e tij vazhdonte ende të punonte, me të njëjtin ngulmim dhe të njëjtën etje për të kuptuar e sistemuar faktet.

Kishte diçka prekëse në mënyrën se si ai refuzonte t’i dorëzohej moshës, sikur puna intelektuale të ishte forma e tij e rezistencës ndaj kohës.

Dhe koha kishte trokitur gjatë në jetën e tij.
Tetëdhjetë e shtatë vite.

Por vitet nuk kishin arritur ta nënshtronin atë burrë.

Gjatë bisedës me Nikoll Lesin për Kishën e Prullit, ajo që të mahniste ishte kujtesa e tij e hekurt.

Data, ngjarje, emra, toponime, referenca arkivore, detaje arkitekturore, gjithçka vinte me një saktësi thuajse matematikore. Ai fliste me qetësinë e dikujt që nuk ka nevojë të impresionojë askënd, sepse është i sigurt në territorin e dijes së vet.

Por mbi të gjitha, të impresiononte mënyra si mendonte.

Në analizat e tij nuk kishte dogmë. Kishte logjikë, krahasim, verifikim faktesh. Kishte gatishmëri për të pranuar korrigjime, për të ballafaquar hipotezat me prova të reja, me një pozitivitet shkencor admirues.

Ai mbetej studiues edhe në mënyrën si dyshonte.

Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia e njerëzve të tillë: jo te pushteti që kanë pasur, por te aftësia për të mbetur të përulur përballë dijes.

Pozicioni i tij sot, disi në periferi të debatit publik dhe politik, dukej se mbante brenda vetes jo mllef, por një pranim të qetë të limiteve njerëzore dhe historike.

Sikur të pranonte me dinjitet se përpjekjet e tij, sado të ndershme dhe serioze, nuk kishin qenë të mjaftueshme për të ndryshuar gjithçka që kishte ëndërruar.

Por kishte diçka madhështore edhe në këtë tërheqje. Sepse ai nuk mbeti peng i politikës. Nuk u kap pas saj. Nuk u shndërrua në një figurë që kërkon pafund rikthim apo protagonizëm.

Si njeri i punës dhe përkushtimit, zgjodhi të largohej në kohë për t’iu kthyer asaj që dinte të bënte më mirë dhe që e përmbushte më thellë: kërkimit, studimit, hulumtimit, dialogut me historinë dhe monumentet.

Dhe ndoshta aty qëndron forma më fisnike e mbijetesës së një intelektuali.

Të rikthehet te dija.
Të zgjedhë librin përballë zhurmës.
Të mbetet në anën e mendimit, kur politika konsumon gjithçka.

Dhe megjithatë, ajo që të trondit më shumë nuk është vetëm madhësia e kësaj vepre.

Është fakti se ai ende punon.

Në moshën kur shumica dorëzohen para kohës, Aleksandër Meksi ende përpiqet të hedhë në letër të vërtetën e përfshirjes së tij politike, nga hapat e parë të pluralizmit deri te largimi i tij në marsin dramatik të vitit 1997.

Sqarim: Shkrimi publikohet me shkurtime nga varianti I plotë i autorit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button