Monday, July 15, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREAlgoritmi sekret i Shqipërisë që e çoi në Euro24

Algoritmi sekret i Shqipërisë që e çoi në Euro24

Menjëherë pas emërimit si trajner i Shqipërisë në janar të vitit të kaluar, Silvinjo kuptoi se kishte një problem. Ish-mbrojtësi i Arsenalit dhe Barcelonës kishte plane të mëdha për një qasje të re taktike, që kishin të bënin me disa anësorë emocionues në krahë, por ai thjesht nuk kishte lojtarë për t’i realizuar. Në krahun e djathtë sidomos, opsionet ishin thuajse inekzistente.

Duhej që disa analizues shqiptarë, të drejtuar nga Alarico Rossi, t’i ofronin një zgjidhje. Që nga viti 2017, ata kishin punuar në heshtje për të krijuar një mjet, që mund të transformonte fatin e ekipit kombëtar dhe të çlironte potencialin e konsiderueshëm futbollistik të kombit të tyre. Tani që Sylvinjo po e kërkonte, ishte koha për ta shfrytëzuar maksimalisht atë mjet.

Arma sekrete e Shqipërisë, siç do ta mësonte edhe Silvinjo shumë shpejt, ishte një bazë të dhënash. Një listë e përpiluar me kujdes me emrat e lojtarëve, e ndërtuar ndër vite për të cilën ishin dashur mijëra orë pune dhe që përmbante detaje të futbollistëve në të gjithë botën, por që një ditë mund të përfaqësonin Shqipërinë .

Harta e vendlindjes së lojtarëve të Shqipërisë

Në këtë moment mund t’ju shkojë menda dhe të pyesni: Ku është gjetja e madhe këtu? A nuk e ka çdo kombëtare një sistem për gjurmimin e futbollistëve? Epo, po! Por pak ekipe kombëtare veprojnë në rrethana kaq të jashtëzakonshme dhe sfiduese sa ato me të cilat përballet Shqipëria moderne. Kombet e tjera mund të kenë bazat e tyre të të dhënave, por ato baza të të dhënave nuk krahasohen me këtë.

Kini parasysh se: popullsia e Shqipërisë është rreth tre milionë banorë, afërsisht e njëjtë me Uellsin. Por federata shqiptare beson se ka deri në nëntë milionë shqiptarë që jetojnë në botë, si pjesë e diasporës së madhe të vendit. Sfida për Rossin ishte të gjente një mënyrë për ta prekur atë diasporë, për të identifikuar talentet e emigruar të Shqipërisë dhe më pas për t’i sjellë ata në shtëpi.

Gjashtë vjet pas nisjes së projektit, baza e të dhënave nxori emrin e saktë të anësorit që kërkonte Silvinjo. Ai quhej Jasir Asani dhe luan për Gwangju FC në Korenë e Jugut. I lindur në Maqedoninë e Veriut nga prindër shqiptarë, Asani nuk kishte luajtur për asnjë ekipet kombëtar më parë. Për këtë arsye, ai mund të thirrej.

Jasir Asani u gjet nga kombëtarja shqiptare teksa luante futboll për klube në Korenë e Jugut
Jasir Asani u gjet nga kombëtarja shqiptare teksa luante futboll në Korenë e Jugut

Përzgjedhja e mëvonshme ishte një triumf – që kur u zgjodh për herë të parë, Asani ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Shqipërisë. “Baza e të dhënave që ne kemi është e paçmueshme”, tha Silvinjo, i cili asistohet nga ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Pablo Zabaleta. “[Pa të] ndoshta nuk do ta kishim gjetur Asanin.”

Brenda skuadrës së Silvinjos për Euro24, Asani nuk është i vetmi që ka lindur jashtë Shqipërisë. Armando Broja i Chelse, i lindur në Slough nga prindër shqiptarë, është një shembull tjetër. Nga 26 lojtarët e Shqipërisë, vetëm tetë kanë lindur në vendin që do të përfaqësojnë këtë verë.

Identifikimi dhe gjurmimi i lojtarëve me trashëgimi shqiptare është dëshmuar të jetë një nga sprovat e mëdha të formacionit kombëtar, si dhe një nga sukseset e tyre të mëdha së fundmi. Është dashur të kërkohet manualisht nëpër listat e pafundme të futbollistëve në ligat anembanë botës, duke kërkuar mbiemra shqiptarë. Për lojtarët me nëna shqiptare, që nuk mbajnë mbiemrin shqiptar, sprova ishte edhe më sfiduese.

Armando Broja ka lindur në Angli nga prindër shqiptarë
Armando Broja ka lindur në Angli nga prindër shqiptarë

Pastaj janë problemet e pasaportave dhe vizave, dhe po ashtu të konkurencës. Lojtarët me shtetësi të dyfishtë ose të trefishtë janë po aq të kërkuar nga kombet e tjera dhe Shqipërisë i është dashur herë pas here të lëvizë me shpejtësi dhe vendosmëri për t’i bindur këta futbollistë të bashkohen me skuadrën e tyre kombëtare dhe jo me një tjetër.

Rossi, një italian, ka monitoruar në mënyrë efektive të gjithë botën e futbollit për të arritur këtë pikë. Skuadra e Shqipërisë është krijuar me lojtarë nga kampionate në 12 vende të ndryshme dhe ata kanë gjurmuar lojtarë nga pothuajse 30 liga gjatë dy sezoneve të fundit. Këto përfshijnë Korenë e Jugut, Indinë, Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe divizionet e para dhe të dyta në të gjithë Evropën.

Kundërshtari i tyre i parë, Italia, ka zgjedhur në të kundërt një skuadër, ku përfaqësohen vetëm tre liga. Detyra e monitorimit të lojtarëve është dukshëm më e vështirë për Shqipërinë, e cila ka burime të kufizuara financiare. Në të vërtetë, Rossi dhe analizuesit e tjerë kanë krijuar dhe përsosur algoritmin e tyre, pa ndihmën e kompanive të të dhënave të mëdha apo inteligjencës artificiale.

Shqipëria është me të vërtetë skuadra ndërkombëtare më ndërkombëtare, dhe kjo nxjerr sfida të pazakonta për stafin stërvitor. Jo të gjithë lojtarët flasin të njëjtën gjuhë, për shembull. Për më tepër, ata nuk janë rritur në të njëjtën kulturë futbolli.

Teorikisht, do të kishte shumë arsye për të besuar se kjo qasje nuk do të funksiononte. Por ata kanë treguar se multikulturalizmi, me krenarinë shqiptare në zemër, është një armë e fuqishme: Shqipëria përfundoi në krye të grupit të saj kualifikues për të arritur në Europianin e dytë të historisë dhe ka humbur vetëm tre nga 13 ndeshje me Silvinjon në krye.

Sfida me të cilën përballen tani është ndoshta më e frikshme, sesa detyra për të gjurmuar futbollistët e panjohur dhe të kualifikuar për Shqipërinë në të gjithë planetin. Pas takimit të së shtunës me Italinë, ata përballen në fazën e grupeve me Kroacinë dhe Spanjën. Ndeshjet, zor se mund të jenë më të vështira, por Shqipëria, e ndihmuar nga databaza e saj dhe përzierja multikulturore, është gati për atë që vjen më pas./The Telegraph

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME