Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËBASHKË ME RAFINERINË SHKOI EDHE BALLSHI PËR SKRAP

BASHKË ME RAFINERINË SHKOI EDHE BALLSHI PËR SKRAP

Nga Endrit Shabani-

Gjatë takimeve që kam zhvilluar nëpër Shqipëri, u ndala një ditë në Ballsh. Atje më priti Sokoli, naftëtar profesionist prej vitesh, dhe një nga personat që ka luftuar më së shumti për të mbrojtur industrinë e naftës.

Përpara privatizimit në vitin 2008, kjo industri përpunuese nxirrte fitim rreth 15 milionë euro në vit. Pas privatizimit industria e naftës u zhyt në një borxh prej 500 milionë euro. Sot, rafineria e naftës është shitur për skrap për vetëm 9 milionë euro.

Për këtë që ndodhi, meritë absolute kanë dy persona. I pari është Sali Berisha që e privatizoi këtë aset kombëtar në vitin 2008, dhe i dyti Edi Rama që e shkatërroi deri në pikën që shkoi për skrap vitin e shkuar.

“Sokol, çfarë ndjesie ke tashmë që rafinerisë i kanë vënë kyçin?”- e pyeta.

“Kemi hyrë disa herë në grevë urie për këtë uzinë. Kemi sakrifikuar familjet dhe fëmijët tanë për ta mbajtur në këmbë. Sot nuk më bëjnë këmbët të vij përpara derës së saj. Është një jetë e kaluar në këtë ndërmarrje. Jemi shkolluar dhe kemi punuar ditë e natë, si të ishte një fëmijë që e kemi rritur vetë. Kur e shoh në këtë gjendje ndjej një trishtim të madh që nuk e përshkruaj dot ” – më tha Sokoli.

Dikur në këtë uzinën punonin rreth 2200 naftëtarë. Pasi u privatizua nuk ngelën në punë më shumë se 1000 naftëtarë. Sot Ballshi nuk ka asnjë naftëtar në punë. Ky profesion u zhduk brenda pak muajve.

“Si ishin kushtet e punës në uzinë Sokol?” – e pyeta.

“Naftëtarët kanë bërë një sakrificë të madhe. Në uzninë nuk u investua asnjëherë siç u premtua. Punonim në kushte jo të përshtatshme për sektorin. Nuk kishim motivim pasi privatët na kanë boxh secilit prej nesh të paktën 13 paga. Sot jemi në mes të katër rrugëve. Mësohet profesion tjetër më në këtë moshë?” – më tha.

Herën e fundit që u bë rivlerësimi sesa para duheshin që rafineria të futej në punë u përcaktua një vlerë prej 50 milionë euro investim. Qeveria tha se nuk kemi aq para. A e di sa i ka dhënë qeveria 300 oligarkëve për gjatë këtij viti? Plot 65 milionë euro.

Nëse ndihma për oligarkët do të kursehej, nëse shumë shërbime publike nuk do t’u jepeshin privatëve, nëse një kilometër rrugë nuk do të shtrohej me 20 milionë euro, atëherë rafineria sot do të ishte në punë.

Do të kishim 1 mijë naftëtarë që punonin. Do të kishim një qytet të tërë si Ballshi të zhvilluar ekonomikisht si dhe do të kishim sot naftë më të lirë. Ndoshta jo aq të lirë sa në Iran dhe në Arabi, por më të lirë sesa vendet e rajonit.

“Sokol ke makinë”- e pyeta.

“Po”- më tha.

“Me sa e merrje naftën”?

Qeshi.

“Nafta në Ballsh nuk shitej më shumë se 150 lekë, ishte të paktën 40-50 lekë më lirë sesa shitej në Tiranë”.

“Naftë e cilësisë së parë apo? ” – e pyeta.

“10 ppm” – më tha.

“Që do të thotë?”

“Është cilësia më e pastër e mundshme e naftës, pra ne prodhonim dhe përpunonim naftë mjaft cilësore”.

Pasi u ndava me Sokolin, vendosa të shoh qytetin. Takova Resmiun, rrobaqepsin e qytetit. Po më tregonte se dikur arrinte të qepte deri në 3 kosutume për naftëtarët. Sot, merrej vetëm me riparimin e kostumeve që kishte qepur dikur.

E vështirë ishte bërë situata edhe për Kujtimin, që kishte një ushqimore në Ballsh. Dikur më tregoi se shiste një larmi produktesh, ndërsa sot shet më së shumti vaj, makarona, oriz, sheqer dhe kafe. Për më tepër, fletoret e tij të borxheve ishin shtuar që pas mbylljes së uzinës së naftës.

Qyteti ka rënë në një heshtje ekonomike pasi uzina ishte veza e artë për 43 mijë banorët që jetojnë në Ballsh. Disa kanë nisur të largohen jashtë vendit, e disa janë rikthyer të punojnë tokat në fshat. Më i dhimbshëm është fakti se sot një qytet që u ngrit nga nafta, po shuhet nga nafta.

E teksa në Ballsh u shkatërrua një aset kombëtar, me paratë që privatët fituan nga uzina ngritën vila në majë të kodrave e buzë detit. Të rrethuar me mure, e të ruajtur me roje private ata po shijojnë jetën luksoze të izoluar nga mjerimi që ka pushtuar Ballshin dhe gjithë Shqipërinë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME