
Bashkimi Evropian në Shqipëri ka nisur zyrtarisht Projektin e Mbështetjes së Integrimit në BE (EUIS), një nismë prej 7.2 milionë euro e krijuar për të ndihmuar qeverinë shqiptare në avancimin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Kjo mbështetje përputhet me objektivin ambicioz të Shqipërisë, të përshkruar në Planin e saj Kombëtar për Integrimin Evropian, për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.
Projekti do të ofrojë asistencë të synuar për strukturat negociuese dhe të gjitha institucionet publike të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE. Nëpërmjet ekspertizës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, BE do të mbështesë Shqipërinë në koordinimin e procesit të negociatave dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së në të 35 kapitujt e negociatave.
Ky program gjithëpërfshirës do të ndihmojë gjithashtu Shqipërinë në përshpejtimin e integrimit në BE, që nënkupton mbështetjen e vendit për të kapur të gjitha mundësitë e disponueshme të para-anëtarësimit, si pjesëmarrja në programet dhe strukturat e BE-së.
Programet strategjike të trajnimit do të zhvillohen për të forcuar aftësitë e administratës publike, jo vetëm për të çuar përpara procesin e anëtarësimit me sukses, por edhe për të siguruar që institucionet shqiptare të jenë plotësisht të përgatitura për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit në BE.
Për më tepër, qeveria do të përfitojë nga ekspertiza e përkushtuar për të zbatuar Planin e Rritjes dhe Axhendën e Reformës përkatëse që ajo ka miratuar.
Me këtë rast, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato rikonfirmoi angazhimin e fortë të BE-së për integrimin e Shqipërisë.
“Perspektiva e BE-së për Shqipërinë nuk ka qenë kurrë më reale. Pas hapjes së dy grupeve të negociatave me BE-në vitin e kaluar, dhe duke qenë se vendi synon të hapë të gjitha grupet deri në fund të këtij viti, puna për reformat duhet të përshpejtohet ndjeshëm. BE-ja është e gatshme të mbështesë planet ambicioze të Shqipërisë, duke përfshirë edhe këtë projekt të dedikuar. Së bashku me shtetet tona anëtare të BE-së, ne do të bëjmë çmos për të ndihmuar Shqipërinë jo vetëm në finalizimin e procesit të anëtarësimit, por edhe në përgatitjen për përgjegjësitë dhe përfitimet e anëtarësimit në BE”, u shpreh ai.