BOTA

Goditet rrjeti ndërkombëtar i trafikut të kokainës, investitorë shqiptarët në Dubai

Një rrjet i përfshirë në shkallë të gjerë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine u godit nga Garda Civile Spanjolle dhe Europol. Agjencia evropiane bën me dije se hetimi përfshinë Bullgarinë, Kolumbinë, Kosta Rikën dhe Panamanë. Të dyshuarit dyshohet se ishin të përfshirë në marrjen dhe shpërndarjen me shumicë të kokainës në të gjithë BE-në, si dhe në pastrim parash.

Hetimi i nisur në qershor 2022 zbuloi këtë rrjet të trafikut të drogës që vepronte në tre kontinente. Anëtarët e rrjetit, shtetas nga Shqipëria, Bullgaria, Kolumbia dhe Spanja, organizuan trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga vendi i origjinës në Evropë. Secili prej tyre mori role të ndryshme brenda zinxhirit logjistik. Shtetasit kolumbianë trajtonin dërgesat nga Kolumbia në Evropë, ndërsa shtetas bullgarë, kolumbianë dhe spanjollë mbikëqyrnin marrjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të drogës. Anëtarët e grupit u fshehën në një kontejner për të hyrë fshehurazi në port dhe me ndihmën e punëtorëve të korruptuar nxirrnin kokainën gjatë natës.

Anëtarë të tjerë shqiptarë, me qendër në Dubai, vepruan si investitorë. Sipas Europol, ata siguruan financat e nevojshme për të paguar prodhuesit për dërgesat nga Kolumbia. Anëtarët e rrjetit gjithashtu pastronin të ardhurat nga krimet e tyre. Hetimet kanë zbuluar se rrjeti kriminal kishte kapacitet për të marrë deri në një ton kokainë në javë. Dërgesat u kryen nëpërmjet ngarkesave ajrore dhe kontejnerëve detarë. Në tetor 2024, autoritetet kapën 4.1 ton kokainë në Panama, me destinacion Spanjën. Rrjeti dyshohet se është i lidhur me konfiskimet e kokainës që arrijnë në mbi shtatë tonë. Gjithashtu, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë sekuestruar edhe dy ton kokainë në Spanjë që nga fillimi i hetimeve.

Europol thekson se operacioni u realizua në tre faza, midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025, duke çuar në 22 arrestime në Spanjë. Konfiskimet përfshijnë rreth 1 ton kokainë dhe 5 kg ‘tusi’ (kokainë rozë), 35 automjete, përfshirë 8 makina luksoze (vlera e vlerësuar rreth 2.5 milionë euro), orë luksoze dhe stoli me një vlerë prej 1.5 milionë euro dhe 6.5 milionë euro cash. Gjithashtu u sekuestruan edhe 48 armë, 53 llogari bankare të ngrira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button