LIFE STYLE

Histori/ Botë e vogël me njerëz të mëdhenjë

Një i moshuar po dilte nga spitali duke buzëqeshur sikur të kishte fituar llotarinë. Një djalë i ri që ishte aty pranë, i cili mesa duket kishte të shtruar një të afërm, u bë kurioz dhe i tha: Më vjen mirë për ty xhaxha, paske dalë me habere të mira. “Bota është portokall bir”, ia ktheu i moshuari duke qeshur. “E vërtetë është”, tha djaloshi, “po në rastin tënd çfarë ndodhi?”. Bir, autobusi për në Berat niset pas disa orësh, nëse ke kohë ulemi në kafe dhe të tregoj.

Duke qenë se djaloshi kishte të jëmën të shtruar dhe e priste një natë e gjatë, pranoi me kënaqësi dhe u ulën në kafe. Pasi porositën, i moshuari ndezi një cigare dhe filloi të tregojë: Në lagjen tonë, ishte një rrobaqepës shumë i varfër i cili kishte një dyqan të vogël dhe nxirte bukën e gojës me të. Edhe pse ishte i varfër, ai kishte një zemër të madhe, sa herë që dikush kishte nevojë, nuk nguroi kurrë ti dalë në ndihmë. Një ditë, rrobaqepësit i zunë sytë një djalë të vogël i cili po kthehej nga shkolla duke qarë me të madhe.

Nga këpuca i kishte dalë gishti i madh, ndërsa rrobat i kishte aq të grisura saqë një pjesë të trupit e kishte mbuluar me gazetë. Shikimi i dëshpëruar i nxënësit e preku në shpirt rrobaqepësin dhe e pyeti se çfarë ka që po qan. Djali iu përgjigj: Shokët e klasës nuk pushojnë duke u tallur me rrobat dhe këpucët e mia të grisura. Ata thonë se prindërit e mi janë më të varfër se minjtë në kasollat e tyre. Pas kësaj, rrobaqepësi i përkëdheli flokët, i kërkoi të mos qajë dhe e ftoi në dyqanin e tij të vogël dhe i mori masat e trupit.

Pastaj i tha djaloshit që të kalojë nesër në mëngjes pranë dyqanit. Të nesërmen, rrobaqepësi i dhuroi djalit një kostum të ri dhe një palë këpucë të reja. Nxënësi nuk po mbante dot veten nga gëzimi. Ai ishte shumë i lumtur që tashmë shokët e tij të klasës nuk do të kishin mundësi që ta tallnin për prindërit e tij të varfër. Ai nuk pushonte së falenderuari rrobaqepësin zemër mirë. Pas 28 vitesh, rrobaqepësi u plak dhe doli në pension. Ai ishte i sëmurë por nuk kishte mundësi të bënte ndërhyrje.

Një ditë bie pa ndjenja në rrugë dhe një meso burrë ndalon, i jep ndihmën e parë dhe e dërgon në urgjencë. Fati deshi që burri i cili e dërgoi në spital kishte qenë mjek dhe pasi gjeti diagnozën, planifikoi me shpenzimet e tij ndërhyrjen. Pas dy javësh, rrobaqepësi i moshuar u shërua dhe e pyeti mjekun: Pse më ndihmove kur ti e di shumë mirë që unë nuk kam mundësi të të paguaj? Mjeku qeshi the i tha: Kur isha një fëmijë, një rrobaqepës të cilin nuk e njihja fare, më bleu një palë këpucë të reja dhe më qepi një kostum të ri për shkollë.

Ai i bëri këto edhe pse e dinte mirë që unë nuk kisha mundësi ta paguaja. Për një çast, rrobaqepësi i moshuar humbi në mendime, pastaj pyeti mjekun: E ku të ka ndodhur saktësisht kjo ngjarje? Doktori i tregoi vendin. Rrobaqepësi u përlot dhe tha: Epo ai kam qenë unë, unë jam ai rrobaqepësi… “Kjo ishte historia që doja të të tregoja bir”, tha plaku ndërkohë që u përlot dhe rrufiti një gllënjkë të kafesë. Djali i ri që po e dëgjonte historinë, e pyeti: Po pse po qan tani?

“U preka bir sepse sapo të tregova historinë time, unë jam rrobaqepësi”, tha plaku ndërkohë që largoi lotin me gisht nga faqja duke shikuar lart nga qielli sikur po i thoshte Zotit: Sa bukur dhe në mënyrë të mistershme që punon! “Si e kishte emrin mjeku në fjalë xhaxha?”, pyeti djali i ri. “Doktor filan fisteku”, u përgjigj plaku. Në këtë moment u përlot edhe djali i ri. “Po ti ç’pate o bir?”, pyeti plaku. “U preka xhaxha, u preka… Ai mjek është vëllai im i madh. Kemi nënën të shtruar në spital”, u përgjigj djali. Situata u bë shumë e emocionuese. “Nga jeni ju bir, dhe si quhet nëna juaj?”, vijoi pyetjen i moshuari me shumë kuriozitet.

Djali u përgjigj: Ne jemi nga fshati Tërpan, dhe nëna jonë është mbi 90 vjeçe dhe quhet Filane Fisteku. Rrobaqepësi heshti fare, pastaj mblodhi veten dhe pyeti: Po filanin a e njeh? Djali qeshi dhe tha: Po sigurisht, është vëllai jonë, më i madhi. Mund të ketë moshën tënde, po me atë çfarë të lidh tani? Rrobaqepësi me një dorë fshinte lotët, dhe me tjetrën tërhiqte kafenë. Herë qeshte e herë përlotej. Mblodhi veten dhe tha: Epo ne nuk jemi asgjë në këtë jetë bir, jemi thjesht gurët e shahut. Lojën e bën Zoti lart. Kam qenë ushtar me vëllanë tuaj të madh dhe nëna juaj vinte në këmbë nga fshati për çdo ditë dhe na sillte byrek me hithër tek rrethimi i repartit. Por nuk harroi kurrë të sjellë edhe për mua të njëjtën gjë që sillte për vëllanë tënd deri sa u liruam nga ushtria!

Mësimi:
Bota është aq e vogël saqë njerëzit mund të përballen me njëri tjetrin për çdo ditë. Të ndihmosh dikë, është si të hedhësh një gjethe në lumë. Ajo niset ngadalë, por vazhdon të lundrojë deri sa të prekë pikën e fundit të ujit. Mos thuaj, unë skam për vete, e jo më të ndihmoj tjetrin. Ndihmo me aq mundësi që ke, sa do pak të jetë, dhe mos prit asgjë në këmbim. Bëj mirë dhe ke për të parë që do të të kthehet në mënyrat më të papritura. Në mos nga njerëzit, me patjetër nga Zoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button