
Procesi i votimit për primaret në Partinë Demokratike në 12 qarqet e vendit është mbyllur. Votimi u hap në orën 08:00 dhe në shumicën e degëve të kësaj partie në vend u mbyll në orën 18:00, teksa vijoi ende në disa degë ku kishte anëtarë që prisnin.
Në Tiranë, kutitë e votimit pritet të grumbullohen në selinë e PD-së ku do të bëhet numërimi. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) pranë Partisë Demokratike, njofton se deri në orën 16:00 votuan 41,666 anëtarë në të gjithë vendin. Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në Tiranë me 10,779 votues, ndjekur nga Fieri me 4,240 dhe Korça me 3,738 votues.
Me publikimin e rezultateve finale, do përcaktohet edhe pragu i votave për secilin kandidat për të ardhur në Kryesinë e PD. Më pas, do të jetë Kryesia e PD ajo e cila do të bëj renditjen e tyre që do jenë në listën e mbyllur dhe në listën e hapur të zgjedhjeve të 11 majit.