Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka akuzuar qeverinë Rama se ka fryrë administratën, duke punësuar qytetarë pa kritere.
Në një konferencë për mediat, deputeti opozitar pohoi se qytetarët paguajnë 94 milionë euro në vit për ta.
Administrata, punonjësit publik, arrijnë në numrin më të lartë që prej 20 vitesh. Plot 186 mijë punonjës publik. Pagat e tyre hanë dhjetra e qindra milionë euro. Misioni i Rilindjes është që të paguajë patronazhistë, jo mundësi që të paguajë pensionistët. Në 2013 administrata publike kishte 163 mijë punonjës. Sot pra, në 10 vitet e këtyre është rritur me 25 mijë. Një qytet i tërë me punonjës publik. Vetëm nga fundi i 2020-ës deri në këtë situatë, thuajse në 1 vit e gjysmë janë shtuar rreth 15 mijë punonjës publik. 18 mln euro në muaj për administratën.”, tha Vasili.
Vasili theksoi mes të tjerash se misioni i Partisë së Lirisë është pa kthim, që t’ju tregojë qytetarëve abuzimet e qeverisë “Rama”.
“S’do kishte shkollë pa ngrohje, janë të qarta llogaritë. Do kishte më shumë mbështetje për pensionistët, dhe jo t’i jepej 300 lekë të vjetra në ditë. Shifrat flasin vetë, janë kaq kokëfortë. Janë pa asnjë alibi, për t’ju vënë në dukje abuzimin me qytetarët, është misioni ynë pa kthim, për të qenë pranë jush me këto informacione.”, pohoi ai.