POLITIKË

Përmbyset situata/ Berisha tani mbron prokurorin e SPAK

Sali Berisha i ka dalë në mbrojtje prokurorit të SPAK, Olsi Dado i cili që nga data 10 shkurt kur arrestoi Erion Veliajn është nën një sulm të vazhdueshëm verbal nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Berisha paralajmëroi një denoncim për mashtrim ndaj Veliajt, duke iu referuar materialit të zbardhur nga bisedat në sallën e gjyqit, ku ishte shtuar fjala “Ndyrësirë” që sipas Veliajt ishte përdorur nga prokurori Ols Dado.

“Famoz në mashtrimet e tij publike, Lali Vjedhësi mashtroi qytetarët e Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar, duke postuar nga qelia procesverbal të falsifikuar dhe manipuluar, me të cilin ai me çdo kusht donte të rëndonte pozicionin e prokurorit të dosjes.

Duke dënuar me forcën më të madhe këtë qendrim banditesk, e informoj Erion Veliajn dhe publikun se, ai nesër do të denoncohet për mashtrim publik dhe shihen modalitetet që kësaj dosje t’i bashkohet edhe dosja e Griseldës, e cila nuk mund t’i harrohet.

Me mashtrimin e djeshëm ndaj publikut, Erion Veliaj tregoi se, për t’i shpëtuar krimeve që ka kryer është i aftë të ndërmarrë çdo veprim.

Unë ju deklarova se ai po kërcënon indirekt dëshmitarë, duke i dërguar mesazhe personale, apo duke kërcënuar se e kemi personale prokurorin. Por dje ai e shpërkallëzoi qendrimin e tij kriminal. E përshkallëzoi duke mashtruar qytetarët shqiptarë, sikur prokurori i paska thënë atij një fjalë të dënueshme. Por, publikimi nga gjykata të audios së atij momenti tregonte se çfarë njeriu pa karakter dhe pa moral ka qeverisur bashkinë e Tiranës.

Ndaj dhe, nesër nis përpilimi i aktakuzës ndaj tij. Do të paditet për mashtrim të rremë publik” u shpreh Berisha.

Pasi Veliaj e akuzoi prokurorin e se kishte sharë me termin “ndyrësirë”, gjykata edhe prokuroria e posaçme e përgënjeshtruan kryetarin e bashkisë së Tiranës. Gjatë ditës së djeshme u publikua edhe një material audio ku nuk dëgjohej askund që prokurori ta kishte quajtur Erjon Veliajn një “ndyrësisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button