KULTURË

Pesë grabitjet më të mëdha piraterike në histori

Piratët dhe thesaret që ata kanë plaçkitur i kanë magjepsur gjithmonë njerëzit. Tregime si “Ishulli i Thesarit” dhe filma si “Piratët e Karaibeve” kanë ndihmuar në shtimin e popullaritetit të këtyre grabitqarëve të detit. Në këtë përmbledhje, Live Science rendit disa nga thesaret më të mëdha që janë plaçkitur nga piratët.

Ndërsa disa prej këtyre pasurive janë grabitur nga piratë të njohur si kapiten William Kidd, të tjera ranë në dorë të piratëve më pak të njohur. Shumë nga ata që i kapën këto thesare nuk jetuan gjatë për t’i shijuar, megjithëse disa ia dolën t’u shpëtonin ndjekjeve të tyre.

Henry Every kap thesarin më të madh të piratëve në histori

Image

Në shtator të vitit 1695, një flotë anijesh piratësh të komanduar nga Henry Every (i njohur gjithashtu si Henry Avery) sulmoi një autokolonë prej 25 anijesh që i përkisnin Perandorisë Mogule në Azinë Jugore. Ata arritën të kapnin disa anije, përfshirë Ganj-i-Sawai, një anije që i përkiste vetë perandorit mogul. Piratët vodhën më shumë se 500,000 monedha floriri dhe argjendi, çka përbën plaçkën më të madhe të marrë ndonjëherë nga piratët, sipas studiuesit Srinivas Reddy në një punim të vitit 2020.

Every u bë menjëherë objekt i një ndjekjeje të madhe nga qeveria britanike dhe Kompania e Indive Lindore. Ai nuk u kap kurrë, por fati i tij mbetet ende i panjohur.

William Kidd kap anijen “Quedagh Merchant”

Image

Me 30 janar 1698, kapiten William Kidd kapi anijen Quedagh Merchant, e ngarkuar me flori, argjend, mëndafshe, kadife dhe mallra të tjera të çmuara. Kidd kishte leje nga kurora angleze për të sulmuar anijet e armiqve të saj. Por Quedagh Merchant nuk ishte anije armike, ajo kishte kapiten anglez dhe mallra që i përkisnin Kompanisë së Indive  Lindore dhe Perandorisë Mogule.

Për këtë arsye, Anglia e shpalli Kidd-in pirat. Ai u kap në Nju Jork dhe u dërgua në Londër, ku u var në vitin 1701. Fati i thesarit të tij ka qenë burim legjendash, shumë besojnë se ai e fshehu diku para se të arrestohej.

Kapja e anijes “Nossa Senhora Do Cabo”

Image

Me 8 prill 1721, një grup anijesh piratësh kapën anijen portugeze Nossa Senhora Do Cabo (“Zonja jonë e Kepit”), që mbante mallra për në Indi për llogari të nënprefektit dhe kryepeshkopit të qytetit Goa. Thesari përfshinte shufra floriri dhe argjendi, arka me perla dhe një kryq floriri që peshonte rreth 100 kg dhe ishte i zbukuruar me rubinë.

Një nga kapitenët, Olivier Levasseur (i njohur si “La Buse”, që do të thotë “Shqiponja”), u kap dhe u var në ishullin Reunion më 1730. Sipas një legjende, pak para se të vritej, ai hodhi një dorëshkrim me një kriptogram që tregonte vendndodhjen e një pjese të thesarit, që nuk është gjetur kurrë. Megjithatë, disa studiues dyshojnë për vërtetësinë e kësaj historie.

Thesari i Whydah Gally-t

Image

Në fillim të vitit 1717, pirati Sam Bellamy dhe ekipi i tij kapën anijen Whydah Gally, një anije tregtare që kishte transportuar skllevër drejt Amerikës së Veriut. E impresionuar nga madhësia dhe fuqia e saj, banda e shpalli atë si anijen e tyre kryesore. Ajo mbante plaçka të marra nga dhjetëra anije të tjera në Karaibe.

Por me 26 prill 1717, anija u mbyt në një stuhi, duke vrarë shumicën e ekuipazhit, përfshirë edhe vetë Bellamy-n. Të mbijetuarit thanë se në bord ndodheshin më shumë se 30,000 paund britanikë në ar dhe pasuri, me vlerë mbi 5.4 milionë paund sot. Në vitin 1984, u zbulua vendi i fundosjes së saj, dhe shumë objekte u ekspozuan në Muzeun e Piratëve Whydah në Massachusetts.

Robert Culliford dhe Dirk Chivers kapin anijen “Great Mohammed”

Image

Në vitin 1698, piratët Dirk Chivers (holandez) dhe Robert Culliford (anglez) kapën anijen Great Mohammed, që transportonte pelegrinë për në Mekë. Sipas historianit Tim Travers, plaçka e kapur arrinte në 130,000 paund, e barabartë me mbi 19 milionë paund sot.

Piratët e çuan thesarin në ishullin St. Mary afër Madagaskarit. Por udhëtimi ishte tragjik për pasagjerët, dëshmitarë të mbijetuar treguan se piratët i torturuan dhe dhunuan ata. Të dy piratët u kapën më vonë; Chivers vdiq në burg në Bombei, ndërsa Culliford bashkëpunoi me autoritetet në këmbim të lirisë. Asnjëherë nuk u mësua se çfarë ndodhi me thesarin. / Live Science

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button