Pas ezaurimit të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Edi Rama deklaroi se mazhoranca ende nuk ka një emër për kreun e ri të shtetit.
Në një deklaratë për mediat para Kuvendit, Rama tha se nuk sheh ndonjë ide apo vullnet nga ana e opozitës për tu përfshirë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar tre raunde. Mua nuk më rezulton që ka ndonjë qartësi, ndonjë ide ndonjë vullnet nga palët e tjera për tu fshirë. Nuk kemi një emër deri tani për president“, tha Rama para gazetarëve.
Pa një emër për Presidentin e ri të Republikës, parlamenti u mblodh sot në seancë plenare, ku u konsumua raundi i parë për zgjedhjen e kreut të Shtetit.
Edhe pse nuk ka një emër për t’u votuar, sipas kushtetutës ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ja lënë vendin katër raundeve të tjera. Do të jetë konferenca e kryetarëve që do të vendosë datën e mbajtjes të raundit të dytë.