Rrëmbehet dhe torturohet për 5 orë djali i biznesmenit në Athinë

Djali i një biznesmeni në Athinë u rrëmbye në mënyrë të dhunshme dhe u mbajt peng për 5 orë nga katër burra, mes të cilëve edhe këngëtari i njohur Ivan Greko.
Katër autorët e krimit, të cilët e rrëmbyen dhe e torturuan 24-vjeçarin duke i zhvatur një shumë të madhe parash, u arrestuan nga oficerët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, pas një operacioni të realizuar në tri lokacione të ndryshme të Athinës.
Ngjarja filloi mëngjesin e 6 majit, kur tre nga autorët sulmuan fizikisht 24-vjeçarin në rajonin e Ymittos. Ata përdorën një objekt të mprehtë për të shkaktuar dëme në gjymtyrët e poshtme të tij dhe e kërcënuan me jetë, duke e futur më pas në një automjet.
Autorët i kërkuan djalit të biznesmenit një shumë prej 25,000 eurosh dhe një motoçikletë. Gjatë rrugës, ata e goditën me objekte të mprehta, duke vazhduar torturën, thuhet në mediat greke.
Ata përdorën një armë zjarri për të intimduar të riun dhe e detyruan të telefononte miqtë për të mbledhur shumën e kërkuar. Autorët tentuan të presin gishta të 24-vjeçarit me një prerës, por nuk e përfunduan veprimin makabër pasi ai arriti të rezistonte.
Pas pesë orësh torturë, i riu arriti të shpëtonte dhe njoftoi një mik të tij. Autorët kishin marrë çelësat e makinës, 740 euro në para të gatshme dhe një orë dore luksoze me vlerë nga 20,000 deri në 29,000 euro. Në ditët në vijim, ata vazhduan ngacmimin ndaj tij përmes mesazheve dhe videove në aplikacione online.
Natën e 22 majit, forcat e policisë realizuan operacione të koordinuara në zona të ndryshme të Atikës dhe arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë anëtarët e grupit kriminal. Ky rrëmbim ka të gjitha tiparet e të ashtëquajturit një “rrëmbimi tigri”, ku djali i biznesmenit mbahet nën kërcënime dhe dhunë për të përmbushur kërkesat financiare të autorëve pa e denoncuar krimin.