KRYESOREPOLITIKË

Shifrat/ Diaspora thelloi fitoren e Partisë Socialiste në 11 qarqe

Para fushatës së 11 majit, kur ende negociohej ligji i ri zgjedhor, opozita e përshkruante votën e emigrantëve me tone thuajse romantike. Mes këmbënguljes për t’u dhënë emigrantëve shansin për të votuar, vota e tyre u konsiderua nga opozita si një bazë e mirë e ndëshkimit për qeverinë e Ramës që do të thyente murin e betonuar të partistë-shtet të Edi Ramës.

Ishte Partia Demokratike që kërkoi me vendosmëri që kjo shtresë të përfaqësohej në kutitë e votimit, duke e shpallur diasporën si rezervuarin më të madh të “votës së lirë”. Deputeti i PD Oerd Bylykbashi, gjatë një takimi për reformën zgjedhore në vitin 2024, u shpreh: “Vota e emigrantëve është baseni më i madh i votave të lira, jo të lira në para, por të lira se nuk i kap dot!”

Propozimi fillestar i demokratëve ishte që e drejta e votës të zgjerohej edhe te ata qytetarë shqiptarë jashtë vendit që nuk kishin deklaruar një adresë, por Partia Socialiste refuzoi. Logjika e opozitës ishte i thjeshtë: qytetari në Shqipëri është më i prekshëm ndaj presionit shtetëror dhe partiak të socialistëve, që nëpërmjet ndihmës ekonomike, legalizimeve, rrogës, shërbimeve shtetërore ushtrojnë një kontroll kapilar të komuniteteve duke përdorur rrjetin e patronazhistëve. Emigranti, në anën tjetër, që kishte ngritur një jetë të re jashtë vendit dhe që ishte më në kontakt me një kulturë tjetër politike, konsiderohej imun ndaj këtyre mekanizmave.

“Një volum vote i madh që vjen nga jashtë prish çdo llogari patronazhimi që bën Partia Socialiste duke kontrolluar shtetin dhe duke dhunuar shtetasit shqiptarë që votojnë brenda Shqipërës,” deklaronte Bylykbashi 10 muaj para zgjedhjeve. “Vota e shqiptarit jashtë do të vlejë njësoj me votën e shqiptarit brenda. Ky është një sukses i madh i opozitës. Thirrja jonë është që sa më shumë shqiptarë të regjistrohen dhe të shprehin me votë.”

Shifrat e hidhura të votës së diasporës

Por ideja që nxiti shpresën për rotacion, u kthye shpejt në një boomerang dramatik për opozitën. Votat nga emigracioni, larg të qenit ndëshkime për qeverisjen e Edi Ramës, rezultuan një bonus elektoral për Partinë Socialiste.

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, emigrantët shqiptarë kanë votuar masivisht në mbështetje të Partisë Socialiste. Brenda vendit, PS mori rreth 52% të votave, ndërsa nga votat jashtë, PS ka marrë rreth 61% duke e thelluar fitoren.

Fenomeni i kundërt shihet në radhët e opozitës. PD rezultoi me 34% mbështetje brenda vendit, ndërsa jashtë vendit PD mori vetëm 24% të votave.

Në 12 qarqet zgjedhore, demokratët fituan vetëm në Kukës me 62% ndaj 27% të PS-së. Ndërsa PS dominoi bindshëm në qarqet e tjera, me rekordin në Berat ku mori 75.7% të votave.

Në Shkodër, PD mori dy pikë më shumë se PS, por PSD-ja e Tom Doshit arriti afro 7%, duke ndikuar në rezultatin.

Denoncimet i PD për manipulime

Përballë këtyre shifrave, PD ka filluar të fajësojë manipulimin që është bërë në votat e diasporës. Denoncimet janë përqëndruar te zarfat nga Greqia. Deputeti Kastriot Piroli u shpreh për Syri TV se kishte vënë re një rritje fiktive të numrit të votave që erdhën nga jashtë për Lezhën.

“Që pardje pyetëm sa vota do të numërohen nga Greqia. Na thanë se do të numërohen 1900 vota, ndërsa sot dolën afro 2200, pra u shtuan mbi 300 vota. Një herë thonin vinin nga kutia e Lezhës, e Durrësit, Vlorës. Çdo minutë rriteshin votat” tha Piroli.

Në rrjetet sociale janë publikuar foto dhe mesazhe të emigrantëve që ankoheshin se zarfi u kishte ardhur bosh.

Sali Berisha nuk mungoi me denoncimet edhe këtë të dielë kur shkroi: “Masakra e votave të diasporës shkëlqen në qarkun Tiranë, aty ku janë numëruar 1033 vota më shumë se zarfa! Kjo vjedhje kaq flagrante skuq nga turpi edhe Kim Jong Un-in apo Lukashenkon.”

Por kritikë të tjerë kanë ofruar një analizë më të ftohtë. Gazetari Gjergj Erebara, në një analizë të botuar në BIRN, thotë se vota e emigracionit mund të jetë e manipuluar që në gjenezë, jo thjesht në kuti teksa vëren se si janë manipuluar mediat në vendin tonë.

“Njeriu është produkt i mjedisit informativ në të cilin ekziston,” shkruan Erebara. Ai argumenton se diaspora, si konsumatore e vazhdueshme e mediave shqiptare, mund të jetë thjesht e bindur nga propaganda.

“Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, kur konkluzioni i zakonshëm ishte që media ishte e ndikuar politikisht por secila palë kishte median e vet për të bërë propagandë, në zgjedhjet e fundit… konkluzioni i vëzhguesve ndërkombëtarë është… media ka pushuar së qeni media dhe është transformuar në përcjellëse të materialeve të prodhuara nga zyra e propagandës së qeverisë…”

Sipas tij, edhe emigrantët janë sot nën të njëjtin regjim informativ si qytetarët brenda vendit. Prandaj, për sa kohë ky mjedis nuk ndryshon, diaspora do të vijë të jetë thjesht “një votues televiziv”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button