Tuesday, April 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËTë rinjtë, arsimi, puna dhe shërbimet e karrierës

Të rinjtë, arsimi, puna dhe shërbimet e karrierës

Analizë nga Xhafer Rakipllari – Një diplomë universitare nuk është më pasaporta më e sigurtë për të ardhmen. 

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pas pandemisë, numri i studentëve ka rënë me një milion dhe shumë kolegje po mbyllin dyert, ose bashkohen me të tjerë për të mbijetuar. 31 përqind e të  rinjve amerikanë thonë se preferojnë të gjejnë një punë para studimeve. Po aq gjegjen se nuk duan të shpenzojnë kohë dhe para për një diplomë që nuk dihet për ku do t’i drejtojë. E si t’iu vesh faj në një treg punës të etur për forcë të re punëtore! 

Në Europë impakti i COVID-19 ka qenë më i larmë. Në vende si Italia, Spanja numri i studentëve vijon rënien, ndërkohë që për Gjermaninë apo Holandën situata paraqitet më pozitive. Kjo në varësi të përgjigjeve të vetë institucioneve të arsimit të lartë, si dhe politikave arsimore të vendeve përkatëse. Por ajo që vlen të përmendet është që universitetet europiane po bëjnë çkamos për të gjetur studentë të rinj, dhe kjo shpjegon thuajse heqjen e filtrave të pranimit dhe interesin në rritje për pjesëmarrje në panairet e edukimit në vendin tonë.

Në Shqipëri, të dhëna të raportuara nga media tregojnë se sot në auditorë ka 50 mijë studentë më pak sesa në vitin 2014. Këmbanat e alarmit bien dyfshish: së pari, për tkurrjen e frikshme të popullsisë për shkak të mungesës së rritjes natyrale dhe shpopullimit, ç’ka bëri që vitin e fundit akademik nga shkollat e mesme të diplomoheshin 33 mijë maturantë; së dyti, për eksodin e mijëra të rinjve të talentuar që zgjedhin të studiojnë në Perëndim (rreth 10 mijë maturantë, një e treta e Maturës 2022, u larguan nga vendi).   

Topi në fushën e Universitetit… 

Siç e tregon qartë prirja e mësipërme, të rinjtë e sotëm po ngrenë pikëpyetje nëse arsimi i lartë iu përgjigjet dot kërkesave të tyre për të ardhmen. Kjo po i shtyn universitetet të rimendojnë njohuritë, mundësitë, lehtësitë, vlerat që iu ofrojnë studentëve. E kam fjalën për standarde akademike; burime e mjete për këshillim karriere; një komunitet për zhvillim profesional, rrjetëzim e punësim, etj.  

Si mësimdhënës, këshilltar karriere, dhe i interesuar për fatin e sistemit arsimor të vendit tim, këto ishin temat që ndoqa me ëndje në sesionet e SXSW EDU – South by Southwest, konferencë vjetore mbi inovacionin në arsim.  

Siç doli në pah, rreth 50 përqind e të anketuarëve të “Gjeneratës Z” në Shtetet e Bashkuara besojnë se mund të jenë të suksesshëm pa patur nevojën për një diplomë universitare. Një sondazh i paraqitur nga ECMC Group gjatë sesionit me temë “A ia vlen të studiosh në kolegj?…” vuri në dukje se studentët e sotëm janë shumë të përqendruar në aftësitë teknike “të prekshme”, që “çimentojnë” karrierën e maksimizojnë fitimet e tyre. Një gjuhë programimi mund të mësohet edhe në universitet, por edhe në një “bootcamp”, apo në një kurs të ofruar në një qendër trajnimi. 81 përqind e studentëve duan aftësi që do t’i përdorin në botën e punës.  

Panelistët diskutuan gjithashtu mbi vizionet dhe vlerat që universitetet lypset të riprojektojnë në dritën e ndryshimeve që kërkon “Gjenerata Z”. Ata prunë ide mbi bashkëpunimin universitet-sipërmarrje, kurrikulat gjithëpërfshirëse dhe të nxënit bazuar në kompetenca. Fokus i veçantë iu kushtua qendrave të karrierës dhe rolit të tyre për një kalim më të butë të studentëve drejt tregut të punës. Këto do të ishin nisje e mbarë e një strategjie efektive për përmbushjen e nevojave në rritje të të rinjve edhe në Shqipëri.  

Të mësuarit eksperiencial dhe bashkëpunimet e Northeastern-it 

Northeastern University në Boston është lider global kur bëhet fjala për të mësuarit eksperiencial përmes programit të quajtur “cooperative education” (Co-Op). Studentët alternojnë studimet me punën me kohë të plotë, duke marrë më të mirën akademike dhe profesionale. Ata mund të zhvillojnë një ose dy programe Co-Op të paguara, dhe nëse dëshirojnë të diplomohen në kohë, mund të frekuentojnë kurset e verës. Me diplomimin, ata kanë fituar përvojë, njohje më të të mirë të tregut të punës, dhe janë gati të kërkojnë pozicionin e tyre të parë me kohë të plotë.

Northeastern-i ka nisur të bëjë ortakëri me kompani, organizata, institucione dhe të fitojë besimin e tyre, një shekull më parë (1925). Por, më shumë sesa të vëmë kujën për gjendjen ku jemi, duhet të nisim saora zbatimin e programeve të tilla. Të qenit një vend i vogël ndihmon për të eksperimentuar diçka të një rëndësie të veçantë për të rinjtë shqiptarë. 

Mikrointernship-et e Nebraskës 

Për t’iu përgjigjur sfidave aktuale, Universiteti i Nebraskës nisi në vitin 2022 programin e mikro-internshipit dhe mentorimit, që lidh studentët me pozicione disa javore në kompani/organizata lokale.  

“Mikrointernship”-et me pagesë, së pari, ndihmojnë veçanërisht studentët që nuk i kanë burimet ose kohën për të kryer një internship të plotë (në Shqipëri, studentët nga grupet e margjinalizuara, por jo vetëm). Së dyti, zbehin hendekun që ekziston mes pritshmërive të punëdhënësve për të rinj të kualifikuar dhe mungesës së përvojës së këtyre të fundit. Së fundmi, lehtësojnë tranzicionin në karrierë të studentëve dhe lëvizshmërinë socio-ekonomike pas diplomimit. 

Fuqia e Mikrokredencialeve 

Temë e konferencës SXSW EDU ishin edhe mikrokredencialet. Siç shpjegohet në këtë artikull të Forbes-it, ato janë janë kualifikime shtesë që demonstrojnë njohuri ose kompetenca specifike në një lëmë të caktuar. Sipas TechTrends këto ide novatore ofrojnë një alternativë tjetër ndaj kredencialialeve tradicionale (diplomat) nëpërmjet ikonave digjitale të quajtura distinktivë (shih: open badge). 

Fenomeni i mikrokredencialeve po pushton universitetet, qendrat e trajnimit në mbarë botën, sepse mbi të gjitha ato shërbejnë si instrumente që i përgjigjen nevojës për reskilling dhe upskilling (riaftësim dhe kualifikim i mëtejshëm i fuqisë punëtore në një treg në transformim të vazhdueshëm).  

Në një publikim të javëve të fundit, CEDEFOP-i, Qendra e referencës së Bashkimit Europian për arsimin profesional, trajnimin aftësitë, dhe kualifikimet, ka identifikuar disa benefite të mikrokredencialeve, ndër të cilat: 

  • Lidhja e menjëhershme me kërkesat e tregut të punës (i. mikrokredencialet adresojnë nevoja për aftësi/kompetenca specifike; ii. mbushin hendekun midis kualifikimeve të arsimit formal dhe riaftësimit të kërkuar nga industria). 
  • Mbështetja e të nxënit individual (mikrokredencialet fokusohen në nevojat e të interesuarit direkt, qoftë nxënës, student, profesionist, si dhe kursejnë kohë dhe kosto). 
  • Lehtësimi i njohjes së aftësive, njohurive dhe kompetencave të një individi (përmes formalizimit të aftësive dhe kompetencave dhe viziblitetit (dhe qasjes) digjitale)

Ndryshe nga certifikimet “ulu e merr” (që merren vetëm duke ndjekur një kurs online), mikrokredencialet fitohen bazuar mbi performancë, pra pasi është treguar qartë zotërimi i një aftësie.

Në një sistem arsimor të ngurtë si yni, ridizenjimi i kredencialeve mund të ishin hapi drejt një Shqipërie, që siç e theksoi Ministrja e Financave në një takim me biznesin, “dëshiron të kthehet në një vend me fuqi punëtore konkurruese, të kualifikuar dhe jo më të keqpaguar”.  

Thyerja e klimës e mosbesimit universitet – sipërmarrje

Marrëdhëniet e shëndosha me punëdhënësit nuk iu mundësojnë studentëve veç praktika punësimi, por edhe zhvillim profesional përmes qasjes në trajnimet më të fundit të industrive speficike. Për të arritur deri këtu, universitetet dhe sipërmarrja duhet të krijojnë hapësira në Bordet Këshillimore të njëri-tjetrit, duke përgatitur “infrastrukturën” për bashkëpunim dhe komunikim të qëndrueshëm, aq të nevojshëm për përmirësim.  

Njoh të paktën dy raste të Bordeve të tillë në Shqipëri, për themelimin e njërit prej të cilëve jam kujdesur personalisht. Ajo që duhet bërë, është thyerja e klimës së mosbesimit mes sipërmarrjes dhe universitetit. Të parët mendojnë që të dytët janë të vonuar dhe të parëndësishëm. Të dytët mendojnë që parët janë të painteresuar dhe shohin veç fitimet. Nuk më duket se ka pasur aq nisma të përbashkëta që të justifikojnë një mungesë e tillë besimi. Pyetja ime për të dyja palët do të ishte: Ku do të gjeni më mirë? Këto janë universitetet dhe kompanitë shqiptare, dhe po, edhe këtu vlen arsyetimi i mësipërm: sa më parë të nisin bashkëpunimet, aq më mirë; sa më vonë, aq më e madhe kokëçarja për të dyja palët, për të rinjtë, për vendin. 

Në vend të mbylljes ose “nevoja për bartës të flakës së arsimit shqiptar” 

Nuk është e lehtë të zhbësh apatinë e dekadave të tëra. 

Por, eksodi i të rinjve nga vendi është sinjal që “flaka” e pishtarit po zbehet, dhe është moment thelbësor për udhëheqësit që të rimendojnë rolin e tyre dhe të gjejnë udhët për të mos e lënë atë të shuhet. Është çështje e planifikimit stragjik, jo më për mbajtjen e kapitalit njerëzor në Shqipëri, por për zhvillimin e tij të harmonishëm aty. Stoli bosh (si mosprani dhe mosangazhim) i atyre që duhet të mbajnë këtë flakë ndezur është tregues më i rëndësishëm sesa çdo nismë apo rezultat afatshkurtër. 

Ndaj, përtej partitizmave – meme të situatës së arsimit (dhe vendit) sot – kemi nevojë për bashkëpunim të vërtetë dhe të sinqertë mes politikbërësve, ekspertëve të arsimit, universiteteve dhe sipërmarrjes. Mungesa e njërës prej këtyre hallkave e vështirëson suksesin e të rinjve në Shqipëri.  

Arsimi ka nevojë për politika, por edhe për eduktatorë që sakrifikojnë për studentët e tyre e nuk struken kur lind nevoja thjesht për të ruajtur privilegje. Mësimdhënësi nuk ka thjesht një mes shumë karrigeve, ai zë foltoren, e sado e vështirë qoftë, duhet të frymëzojë e motivojë auditorin përballë.

Ka nevojë për këshillues karriere, që nuk janë numra për të plotësuar organikën e institucionit; dhe qendra karriere aktive, që nuk degdisen në qoshe sa më larg studentëve. Këshilluesi punon për vetëdijësimin e studentit, i nxjerr atij në pah pikat e forta, i rrit vetë-vlerësimin dhe e përgatit për të përballuar me sukses sfidat pos-diplomim.  

Shqipërisë i duhen edhe sipërmarrës – mentorë që ndajnë njohuri dhe përvojë, dhe evidentojnë e zhvillojnë të rinjtë premtues. Potencialin e këtyre të fundit sot po e vlerësojnë dhe shfrytëzojnë Europa dhe Shtetet e Bashkuara, ndaj është koha që “flakës” së tyre t’i gjejmë bartës të denjë, që kanë njohuritë, aftësitë dhe mbi të gjitha vullnetin për të udhëhequr këtë proces jetik për fatin e vendit. 

Studenti po ndryshon, të nxënit po ndryshon, bota e punës po ndryshon… Është koha të përqafojmë të renë dhe ngremë arsimin në lartësinë e misionit të tij. 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME