U dogjën 40 mijë ullinjë e dhjetëra hektarë vreshta./ Banorët e Fierit: Komisioni ende s’ka ardhur, s’besojmë se do dëmshpërblehemi

FIER – Kanë kaluar rreth dy javë nga zjarri masiv që përfshiu disa fshatra të zonës së Fierit, por për banorët dëmi i shkaktuar nga flakët është ende një plagë e hapur. Zjarri, i cili nisi në Radostinë dhe përshkoi pesë fshatra për t’u ndalur në Frakull të Madhe, la pas qindra hektarë tokë të djegur, mijëra pemë ulliri, vreshta, koshere bletësh dhe objekte të dëmtuara.
Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia e Fierit, nga zjarri janë prekur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, ndërsa janë evidentuar edhe rreth 15 objekte të dëmtuara. Komisioni që ka verifikuar dëmet në objekte e ka përfunduar tashmë punën dhe ka përcaktuar shifrat zyrtare.
Por një tjetër proces verifikimi, ai për dëmet në ullishte dhe vreshta, ende nuk ka përfunduar.
Në Peshtanin e Vogël, banorët thonë se presin ende mbërritjen e komisionit për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga zjarri. Ata tregojnë se flakët kanë përshkuar sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe vreshta, duke dëmtuar një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të tyre dhe të investimeve të viteve të fundit.








Banorët shprehen se një pjesë e tyre i kanë deklaruar dëmet pranë njësive administrative, por kërkojnë që verifikimi në terren të bëhet sa më shpejt.
Pamjet nga terreni tregojnë pemë ulliri të djegura, parcela të përshkuara nga flakët dhe sipërfaqe të tëra bujqësore të dëmtuara.
Për fermerët, dëmi nuk është vetëm i këtij viti, pasi pemët e ullirit të djegura kërkojnë vite për t’u rikthyer në prodhim, ndërsa në shumë raste ato janë investime të bëra gjatë dekadave.
Një tjetër shqetësim i banorëve është mundësia e dëmshpërblimit.
Ata thonë se kanë pasur raste të mëparshme të dëmeve nga zjarret, por sipas tyre, nuk kanë marrë kompensim nga shteti. Për këtë arsye, edhe pse dëmet e këtij zjarri janë të mëdha, ata shprehen skeptikë se do të përfitojnë dëmshpërblim.
“Edhe herë të tjera kemi pasur dëme nga zjarri dhe nuk kemi marrë dëmshpërblim. Edhe këtë herë nuk kemi shumë shpresë”, shprehen banorët.






Sipas tyre, në zonë janë dëmtuar dhjetëra mijëra rrënjë ullinj, sipërfaqe të mëdha me vreshta, si dhe mbi 100 koshere bletësh. Për familjet që jetojnë nga bujqësia, këto dëme përkthehen drejtpërdrejt në humbje të të ardhurave.
Banorët kërkojnë që komisionet të përfundojnë sa më shpejt verifikimet dhe që çdo dëm i shkaktuar nga zjarri të regjistrohet në mënyrë të plotë.
Ata thonë se nuk kërkojnë vetëm evidentimin e dëmeve, por edhe një zgjidhje konkrete për pasojat që zjarri ka lënë pas.
Ndërkohë, procesi i verifikimit të dëmeve në ullishte dhe vreshta vijon në zonat e prekura, ndërsa banorët e fshatrave ku komisioni ende nuk ka mbërritur presin që evidentimi të kryhet edhe në parcelat e tyre.
Zjarri i dy javëve më parë tashmë është shuar, por pasojat e tij vazhdojnë të ndihen në familjet që humbën një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tyre bujqësore./ ALB365/ Xhemil Beharaj










