Vata: Shqipëria me Ramën në krye ka hyrë në një rrugë qorre

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, me anë të një postimi në rrjetet sociale në lidhje me protestën e studentëve dhe të rinjve, ka deklaruar se Shqipëria me Edi Ramën në krye ka hyrë në një “rrugë qorre”.
Ajo shprehet se Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj nuk do ta lejojnë vendin të mbetet, sipas saj, në duart e autokratëve.
Vata nënvizon se nxënësit, studentët dhe mbështetësit e PD-së kanë të njëjtat kërkesa: dorëheqjen e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Reagimi i deputetes së PD, Denisa Vata:
Shqipëria me Edi Ramën në krye ka hyrë në një rrugë qorre.
Prandaj çdo Qorr që përpiqet t’i bëjë dritë njeriut që ka zhytur vendin në errësirën autokraticisë dhe mjerimit do të dështojë.
Partia Demokratike dhe mbi 500-mijë frymë që kanë e mbështetur atë nuk do ta lerë kurrë vendin në duart e autokratëve të verbuar nga zullumi apo veglave të tyre qorre.
Sali Berisha ka qëndruar kur të gjithë heshtën.
Ka denoncuar kur të gjithë nuk hapnin dot gojën.
Sepse demokracia dhe liria janë fryma jonë e panegociushme.
Nxënësit dhe studentët, ashtu si çdo mbështetës heroik i Partisë Demokratike nuk po kërkojnë asgjë të ndryshme nga njëri-tjetri: Dorëheqje të Edi Ramës, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Falënderoj çdo demokrat, veçanërisht ata të Qarkut Dibër të cilët kam nderin t’i përfaqësoj për qëndresën e tyre heroike.
E drejta do të fitojë!












