Legjenda e tenisit, Roger Federer ka nderuar Messin pasi argjentinasi u nominua në listën e 100 njerëzve më me ndikim të revistës TIME për vitin 2023. Messi zuri vend me 100 njerëzve me ndikim, pasi udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores së Kupës së Botës. Ylli i tenisit Federer, i cili është padyshim tenisti më i madh i të gjitha kohërave, ka shkruar një tekst me superlativa për Messin në listën e shpalljes së çmimeve, duke e krahasuar futbollin e tij me artin.
“Rekordet e Lionel Messit për shënimin e golave dhe kampionatet e fituara nga ai nuk kanë nevojë të numërohen këtu. Ajo çfarë veçohet për mua tek Messi, 35 vjeç, është madhështia e tij e vazhdueshme për kaq shumë vite. Kjo është tepër e vështirë për t’u arritur e pastaj për t’u mbajtur. Ai driblon si një magjistar dhe pasimet e tij këndore janë vepër arti. Është pothuajse e pamundur ta kuptosh çka në mend dhe atë që parasheh ai”, shkroi Federer.
“Karriera ime sapo ka përfunduar. Tani e kuptoj sa shumë peshë mbajmë ne atletët. Por në jetën tonë të përditshme, ne as që arrijmë ta kuptojmë. Për një lojtar futbolli si Messi, ajo peshë më gjasë është më e madhe, sepse ai përfaqëson një klub të njohur botëror dhe një vend shumë të zjarrtë ndaj futbollit”.
“Fitimi i Kupës së Botës nga Argjentina ishte i mahnitshëm. Dalja e miliona njerëzve në rrugët e Buenos Aires për të festuar ishte çast i mrekullueshëm për sportet, që u pa në gjithë botën. Madje edhe ata të cilët nuk shikojnë futboll duhet ta kenë kuptuar patjetër ndikimin e vërtetë të lojës më të njohur në botë”, shtoi ai.
Federer, i cili njoftoi pensionimin nga tenisi në shtator 2022, shkroi po ashtu për shpresën se 35-vjeçari Messi duhet të vazhdojë karrierën edhe për shumë kohë.
“Duke u rritur, lojtarët argjentinas që i parapëlqeja ishin Diego Maradona dhe Gabriel Batistua. Isha me fat që i takova të dy. Ata më frymëzuan. Tani Messi mund t’i frymëzojë gjeneratat e ardhshme. Mund vetëm të shpresoj se do të kemi mundësi ta shohim kreativitetin e tij unik dhe artistik edhe ca kohë më shumë. Mos i përpëlitni qerpikët shpesh kur Messi është duke luajtur në fushë. Mund t’ju ikë diçka e jashtëzakonshme nga njeriu i çastit”, nënvizoi Federer.