AKTUALITETTOP-NEWS

Të përndjekur nga përmbytjet/ Banorët e Petovës e Mbrostarit: Po na dëmtohen tokat, askush nuk na jep dëmshpërblim

Banorët e zonës së Petovës e Mbrostarit po përballen me pasoja të rënda pas dëmtimeve të shkaktuara në tokat bujqësore, ndërsa shprehen të zhgënjyer nga mungesa e reagimit konkret të institucioneve.

Sipas tyre, situata është përkeqësuar ndjeshëm dhe dëmet kanë prekur jo vetëm prodhimin bujqësor, por edhe jetesën e përditshme të familjeve.

Për herë të tretë hapja e portave në hid e Banjës ka  nxjerr nga shtrati lumin Seman.

Ata thonë se, megjithëse në terren kanë mbërritur komisione për verifikimin e dëmeve, deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare apo dëmshpërblim për humbjet e pësuara.

“Kanë ardhur, kanë parë dëmet, por askush nuk na ka kthyer përgjigje. Tokat janë dëmtuar dhe ne nuk mund të punojmë më si më parë”, shprehen banorët.

Sipas tyre, situata ka detyruar disa familje të largohen përkohësisht nga banesat dhe të jetojnë me qira, për shkak të vështirësive ekonomike dhe pamundësisë për të siguruar të ardhura nga toka.

Ata theksojnë se po përballen me vështirësi të mëdha financiare, ndërsa ndihen të braktisur nga institucionet përgjegjëse.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga pushteti vendor dhe institucionet përgjegjëse për të bërë transparencë mbi procesin e verifikimit dhe për të garantuar dëmshpërblimin e premtuar.

Ndërkohë, situata mbetet shqetësuese, pasi mungesa e zgjidhjes rrezikon të thellojë më tej krizën ekonomike dhe sociale në këtë zonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button