Sam Asghari: Martesa me Britney Spears më ndikoi në karrierë

Sam Asghari ka folur hapur për ndikimin që pati lidhja e tij me Britney Spears në karrierën e tij në rritje.
“Nuk mund të rri këtu dhe të gënjej duke thënë: ‘Nuk ishte e mirë për mua,’” u shpreh 31-vjeçari në një intervistë për Page Six Radio, duke pranuar se lidhja me yllin e popit i dha një platformë të madhe publike.
“Kur je në një marrëdhënie kaq publike, ajo të jep një platformë. Më dha njëfarë platforme për t’u bërë kush jam sot,” shtoi ai.
Asghari tha se e kishte nisur tashmë karrierën si aktor para se të njihte Spears gjatë xhirimeve të klipit të saj të vitit 2016, Slumber Party. Ata nisën të dilnin pak pas xhirimeve dhe e bënë lidhjen publike në janar të vitit 2017.
“E kisha nisur tashmë aktrimin në atë kohë, po punoja për veten,” tha ai, duke shtuar se ishte gjithashtu trajner personal dhe kamarier në atë kohë.
Por edhe pse lidhja me artisten e bëri të njohur, Sam rrëfeu se përballoi sfida të mëdha profesionale. “A më është dashur të punoj më shumë për t’u dëshmuar si aktor? Absolutisht,” u shpreh ai.
Sipas tij, për shkak të të kaluarës si trajner dhe lidhjes me një këngëtare, agjentët e kastit shpesh dyshonin: “A duam të punojmë me një trajner të zakonshëm, dhe për më tepër të lidhur me një yll popi?”
Sam Asghari dhe Britney Spears u martuan në një ceremoni madhështore në qershor 2022 pas pesë vitesh lidhje, por u ndanë dhe finalizuan divorcin në maj 2024. Në kujtimet e saj The Woman in Me, Spears e quajti Asgharin “një dhuratë nga Zoti”.