KULTURË

Vjosa në Prag të Lavdisë Botërore: UNESCO Jep Dritën Jeshile për Statusin e Biosferës

Një tjetër hap i rëndësishëm është hedhur drejt njohjes ndërkombëtare të lumit Vjosa si pjesë e trashëgimisë botërore. Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka aprovuar dosjen e aplikimit për përfshirjen e Luginës së Vjosës në listën e UNESCO-s, duke hapur rrugën për miratimin përfundimtar në sesionin e 37-të të programit MAB, që do të mbahet në shtator 2025.

Lajmi u konfirmua nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se ky është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar – është një njohje e bukurisë natyrore, e harmonisë së komuniteteve lokale me mjedisin dhe e përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës.

“Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është modeli i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon,” u shpreh Kumbaro, duke përmendur kontributin e ekspertëve, vizitën e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s në 2023 dhe punën e institucioneve përgjegjëse që çuan në këtë arritje.

Ndërkohë, Departamenti i Shkencave Ekologjike dhe Shkencave të Tokës në kuadër të programit “Njeriu dhe Biosfera” ka njoftuar se shqyrtimi i dosjes u krye nga Komiteti Ndërkombëtar në takimin e tij të 31-të, zhvilluar më 17–21 shkurt 2025. Komiteti rekomandoi miratimin e Luginës së Vjosës si një Rajon Biosfere, duke e afruar edhe më shumë me statusin përfundimtar në UNESCO.

Ky zhvillim përforcon pozicionin e Shqipërisë në hartën e trashëgimisë natyrore globale dhe hap horizonte të reja për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button