Zgjedhjet në korrik/ Nga Tirana në Tropojë e Tepelenë, ja bashkitë që presin kryetarin e ri

Pas datës 11 maj, pritet të zhvillohen zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, megjithatë situata politike mbetet e paqartë dhe mjaft dinamike. Ende nuk është dhënë një vendim zyrtar për datën e saktë të zgjedhjeve, ndërsa aktorë të ndryshëm politikë po përpiqen të përcaktojnë hapat e ardhshëm.
Një fakt i sigurt është se Blendi Gonxhaj pret me padurim të marrë postin dhe ka nisur tashmë përgatitjet për detyrën. Këshilli Bashkiak ka bërë një kërkesë zyrtare për zëvendësimin e Erion Veliajt, por mbledhja vendimmarrëse nuk është thirrur ende.
Nga ana tjetër, Tualant Balla në takime informale ka sugjeruar mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve deri në korrik, për të shmangur përplasjet politike dhe për të përfituar nga sezoni i pushimeve.
Në skenën politike po përfliten edhe për zgjedhje në bashkinë e Beratit dhe në atë të Tepelenës, pasi Ervin Demo dh Termet Peçi u bënë deputetë nga 11 maji.
Pritet të zhvillohen zgjedhjet për kryetar bashkie edhe në Burrel pasi Agron Malaj u bë deputet.
Në Tropojë, ku kryetari i Bashkisë është përfshirë në hetime dhe është dënuar, po mendohet për zhvillimin e zgjedhjeve të reja lokale. Po ashtu, në Rrogozhinë, kryetari i Bashkisë Edison Memolla është dënuar për korrupsion, por zgjedhjet janë shtyrë, dhe pritet që të ketë zhvillime të reja dhe atje.
Opozita vazhdon të përballet me sfida serioze, duke humbur terren dhe pa një organizim të qartë përballë krizës dhe zhvillimeve të fundit politike.
Situata mbetet në pritje të vendimeve të rëndësishme që do të përcaktojnë të ardhmen e zgjedhjeve lokale dhe balancën e pushtetit në këto bashki.