AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Miliona euro të investuara dëm. Tregjet moderne në Fier, nga premtime elektorale në rrënoja bosh. (foto e video)

Fier – Miliona euro të investuara për ndërtimin e Tregut Rajonal të gjësë së gjallë në dalje të fshatit Mbrostar, në Bashkinë e Fierit, kanë shkuar dëm. Me një arkitekturë moderne, godina dhe ambiente bashkëkohore, ky treg pritej të ishte një qendër e madhe e tregtisë së bagëtive për gjithë rajonin e jugut.

Përveç ditës së inaugurimit, e cila u zhvillua në prag të një fushate elektorale, Tregu Rajonal nuk ka funksionuar më asnjë ditë.
Në ndërtimin e tij u përfshinë edhe fonde të huaja. Kompania TAP kontribuoi me afro 350 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër u mbulua nga fondet publike. Projekti parashikonte që tregu të shërbente jo vetëm për blegtorët e Fierit, por edhe për ata të Lushnjës, Beratit, Vlorës e më gjerë.

Megjithatë, sot godina moderne që dikur u reklamua si “model rajonal”, qëndron e mbyllur, e heshtur dhe e harruar.

Ndërkohë, gjëja e gjallë vazhdon të shitet rrugëve dhe trotuareve, kryesisht në lagjen “1 Maj” të Fierit, një pamje që kujton vitet e shkuara, shumë larg standardeve të tregtisë moderne që u premtuan me bujë.

Dështimi i tregut të gjësë së gjallë nuk është rasti i vetëm. Në prag të falimentimit është edhe Tregu Ditor i Bashkisë Fier, ndërtuar në kuadër të programit të Rilindjes Urbane, me një investim prej 55 milionë lekësh të reja, para që dolën nga taksat e qytetarëve.

Projekti parashikonte hapësira moderne për 120 tregtarë të fruta-perimeve, por sot, në realitet, tregu është thuajse bosh.

Në radhët e shitësve janë vetëm 10 tregtarë aktivë – shtatë prej të cilëve shesin fruta dhe perime, ndërsa të tjerët shesin shpezë, duke paguar një taksë ditore prej 100 lekësh.

Në kohën e inaugurimit të tregut të gjësë së gjallë, u trumbetua me të madhe se në rrethin e Fierit ishin të mbarshtuar mbi 35 mijë krerë gjedh, 219 mijë krerë të imta dhe afro 10 mijë derra. Por sot, shifrat janë krejt të tjera – numri i krerëve po pakësohet nga viti në vit, ndërsa mungesa e tregjeve funksionale po i shtyn fermerët drejt humbjes dhe falimentimit.

Në vend që të shërbejnë si qendra zhvillimi, tregjet moderne të Fierit janë shndërruar në simbol të dështimit të investimeve publike ,  investime të bëra me miliona euro që sot mbeten bosh, pa jetë dhe pa qëllim.

ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button