Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori i njohur Leka Bungo

Është ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo. Ai do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë, në orën 16:00.
Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët në rrjetet sociale. Njëra nga vajzat e tij, Alba ka shpërndarë një foto krah të atit dhe shprehet se ai luftoi me sëmundjen më të rëndë të shekullit.
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe mbetet një prej figurave më të spikatura të artit shqiptar, me një karrierë të pasur në teatër, film dhe televizion. Ai përfundoi studimet për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndoqi një kurs regjie në Institutin e Lartë të Arteve.
Gjatë viteve të tij krijuese, ai punoi si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më vonë në Estradën e Shtetit, ku solli shfaqje me tematikë sociale dhe nota të theksuara satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar, një përpjekje për të sjellë risi në skenën shqiptare, që megjithatë nuk arriti të mbijetonte gjatë.
Në vitin 2002 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vazhdoi të qëndronte aktiv në botën e artit. Ai është autor i disa dramave dhe skenarëve filmikë, përfshirë “Pabesia” dhe “Pas fasadës”, si dhe është kujtuar për rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).