Begaj mbron dekretin për zgjedhjet në Tiranë: Kushtetuesja nuk ka folur ende

I ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” nga Grida Duma, presidenti i Republikës Bajram Begaj është munduar të shpjegojë pse e dekretoi datën e zgjedhjeve në Tiranë.
Ai tha se ka ndjekur të gjithë rrugëtimin kushtetues dhe procedurat juridike që respektojnë Kushtetutën për shkarkimin e Erion Veliajt si dhe për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Begaj shtoi se duke respektuar çdo parim kushtetues ai ushtroi kompetencën e tij për nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme
“Unë mendoj që nuk mund të vendoset balancë në gjykimin midis dekretit të Presidentit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Patjetër që kryetari i bashkisë është shkarkuar më VKM nga KM pas propozimit të bërë nga këshillit bashkiak, i cili me votat e pozitës dhe opozitës gjeti si shkak ligjor mosparaqitjen në detyrë. Shkak ligjor që është trajtuar gjerësisht në media.
Po kështu Qeveria nga ana e saj në vendimin e shpallur merr në analizë si shkak, jo shkakun politik të lidhur e nenin 115 të Kushtetutës e cila thotë “për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve”, por thotë që shkarkimi nga detyra i kryetarit të bashkisë është bërë me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë. Pra kemi të bëjmë me nenin 62 pika c.
Patjetër që kjo dileme është konsultuar me ekipin tim dhe janë marrë në analizë çdo pretendim në media apo i palëve të caktuara, i cili pas një diskutimi tepër aktiv më siguruan që duke respektuar parimet kushtetuese, presidenti duhet të ushtrojë kompetencën kushtetuese për nxjerrjen e dekretit për zgjedhje të parakohshme.
Patjetër me nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme nuk i është mohuar e drejta palëve për të çuar në instancat ligjore çdo pretendim të mundshëm por Gjykata Kushtetuese shprehet me vendim dhe një vendim i tillë mesa di unë akoma nuk është marrë” – tha Begaj.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim për pezullim të vendimit, Begaj tha se do të mbrojë vendimin e tij presidencial në çdo rast.
“Ju mendoni se mund të ketë një konflikt institucional midis legjitimitetit të zgjedhjeve? Unë nuk mund të aludoj mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata është në të drejtën e saj të zbatojë detyrimin ligjor. Ajo që ne sigurohemi kur nxjerrim një akt është që të marrim parasysh çdo pretendim dhe, nëse ky akt i Presidentit do të shkojë në një instancë ankimore apo ligjore, për të mbrojtur qëndrimin tonë në çdo rast – tha Begaj.









