SPORT

Intervista/ Tare: Milani klub ku duhet të fitosh, i kam idetë e qarta për të ardhmen

Nga dita e hënë, Milan ka zyrtarisht një drejtues të ri sportiv: bëhet fjalë për Igli Taren, ish-drejtorin e Lazios, i cili pas disa viteve larg fushës së lojës ka vendosur të rikthehet në skenë, këtë herë në një nga klubet më të mëdha të futbollit europian. Tare është prezantuar për herë të parë në një intervistë për Milan TV, duke shprehur emocionin dhe ambicien për këtë detyrë të re.

“Milani ka një histori të lavdishme. E kam ndjekur që fëmijë, që në kohën e Ëilkins dhe Hateley. Familja ime ishte gjithmonë e lidhur me këtë klub, të gjithë xhaxhallarët e mi ishin milanistë,” – u shpreh Tare me emocion. “Për mua është shumë e veçantë që sot jam pjesë e klubit që kam dashur që fëmijë. Madje edhe debutimi im në Serie A ishte në një ndeshje Brescia-Milan, dhe djali im i parë lindi gjatë një ndeshje Milan-Bologna.”

Objektivat dhe vizioni për të ardhmen

Tare shprehu qartë qëllimin e tij: të rikthejë Milanin në majat e futbollit.

“Ky është një klub ku kërkohet të fitosh menjëherë. Kam ide të qarta dhe dua t’i zbatojmë bashkë me gjithë stafin. Kam biseduar gjatë me Giorgio Furlanin dhe Zlatanin për këtë projekt,” tha ai. “Dua të sjell energji dhe entuziazëm pas një sezoni të gjatë dhe zhgënjyes.”

Roli i tij dhe rëndësia e bashkëpunimit

“Roli im nuk është vetëm teknik, por edhe strategjik. Duhet të ndërtojmë një skuadër me lojtarë të rinj që kuptojnë peshën e fanellës kuqezi. Kur të arrijmë ta transmetojmë këtë ndjenjë te lojtarët tanë, do të kemi hedhur hapin e parë drejt suksesit,” tha drejtori i ri sportiv.

Tare vuri theksin edhe te puna në grup: “Do të bashkëpunoj ngushtë me Furlanin, Ibrahimoviçin dhe Moncadan. Bashkëpunimi është thelbësor për të rikthyer Milanin në kulmet që i takojnë.”

Futbolli modern dhe adaptimi ndaj ndryshimeve

“Futbolli ka ndryshuar shumë, çdo pesë vite ritmet dhe mënyra e të punuarit ndryshojnë. Duhet të jemi të përgatitur për këto cikle. Gjithçka nis nga rezultatet në fushë, ato përcaktojnë gjithçka tjetër,” shpjegoi Tare, duke theksuar nevojën për strategji të qarta dhe vizion të freskët.

Mesazh për tifozët

“Dua të shoh një skuadër që lufton për fanellën, që ka uri dhe dëshirë për fitore. Dua ta shoh San Siron të shpërthejë nga gëzimi. Do jap gjithçka që ky emocion të rikthehet. Të shohësh tifozët milanistë të gëzuar është një nga gjërat më të bukura në futboll,” përfundoi ai me emocion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button