Saturday, May 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURËME FUAT BOÇIN ANDEJ NGA ISHA E KËTU KU JAM

ME FUAT BOÇIN ANDEJ NGA ISHA E KËTU KU JAM

Nga Andrea Prifti – Fuat, në Darzezë, tek ai fshati turistik buzë detit, midis dy grykderdhjeve të lumit Seman dhe atij të Vjosës, të kujtuan për rolin e Gjergos, atij personazhit tek ai filmi që paratha ardhjen e kohëve pa miq, (“Lamtumirë Mik”) ku thoshje se dikur kërkonim shok dhe gjendej mik, kurse sot kërkon pulë për vezë dhe të japin gjel, e ti pretë me ditë e duron me vite dhe ai nuk pjellë!…Të përmendën në Shënpjetër për personazhin tangërllëngs që therë tërë kopenë “për të nderuar miqtë”, ( te pjesa humoristike “Ujku” ku “koka bënë-koka pëson”), në Topojë për Llazin te “Një dhi për Llazin”, dembelin që do qumësht por kërkon t’ia falin dhinë dhe…dhe t’ia kullosin vetë! Në Seman vajti muhabet i gjatë, O Fuat, ndër dhjetë a pesëmbëdhjetë vetë, çuditërisht, e kishin kuptuar si duhet atë të vërtetë, për “Urën” atë materialin filmik që ke realizuar ca vite më parë në Seman kur personazhi priste t’i bënin urën politikanët që vinin t’i merrnin votën, por s’dukeshin më aty për katër vite të tëra! Dhe ai përvishte pantallonat për t’u hedhur “përmatanë” kanalit me ujë e me baltë dhe…Dhe meazallah se i përvishte mëngët vetë për të ndërtuar një urë të vërtetë!

Se ti, o Fuat Boci, e bënë personazhin t’i dhembë e t’i djegë, e përkëdhelë kur e meriton dhe e telendisë dhe e dënon kur…
Hë, Fuat ke për të treguar më për “Belulin”? E di që duke më lexuar më pyet nëse vërtet dua të dëgjoj më për personazhin tënd të famshëm. Të jesh i sigurtë se personazhet e tu nuk më mërzisin kurrë se i shohim përditë të vërtetë, ashtu si ke ditur e i ke gdhëndur zotrote në këtë jetë!

Shtatë ditë i rashë fushave, anës së atij bregdeti që nga grykderdhja e Vjosës deri tek ai i Semanit, i respektuar unë për ty që nuk ishe me mua aty!… Rakinë unë nuk e pi, ashtu si edhe ti, por peshk e ngjala ha, edhe pula posi!… Dhe u shtrova në muhabet me njerëz të mirë, si ata që di dhe njeh ti në këto anë të begata e të heshtura, të urta e të buta për t’i patur zili. Nuk të kishin harruar, or Fuat, as ata që të kishin parë në ekran dhe në skenë, as ata që, pa të parë, kishin dëgjuar për “bëmat” e tua që s’di nga të tjerët e kishin marrë vesh! Më pyesnin ku ishe, ku qe, c’gjë bërë me humorin ndonjë të re? C’bëje tani, ti-Aktori i pakrahasueshëm me asnjë nga ata që mori më shumë medalje e fletë lavdërimi e tërci e vërci e ku ta di, nga kryetarë bashkie vendosur nga partia e fshatit të tyre që, për herë të parë, mbase shihnin artin që bëje ti pa marrë vesh ku çonte loja dhe fjala jote flori; nga presidentë qe hipnin vetë në skenë kur hapërdanin ato letra mavri – reklamë e pasaportë zotsie për veten e tij ai që nuk di, të vetëdijshëm se nuk ua vartte njëri! (E pakta, ata nga ku gjeje personazhet e artit tënd ti, o Fuat Boci, o njeri i vërtetë, pa shtirje e uri për lavdi dhe për… lek!).

O Fuat,nuk të harrojnë njerëzit në këto anë të fushave të bregdetit ku gjetëm personazhet, ca unë e më shumë ti…Ti që, me gjuhen e Ezopit, me finesë e qetësi, me “qibarllikun” e mendimit e të fjalës, ruan një Art për të jetuar larg mediokritetit të zhurmës e të gallatës lesh e li, të pseudohumorit pa karar e azat në llafe e “ndodhi”, badërdi në gjestet e neveritshme që përbaltin njerzillëkun në atë të bukurën dashuri që kanë në të vërtetë njerëz si ti!

Ah, Fuat Boci, atje, ndanë atyre brigjeve ku meditova duke dëgjuar shushërimën e dallgëve të detit, shtatë ditë me brengën përse nuk munda të bëja më shumë me ty për artin, për…Po nuk ka fund e mira dhe e bukura, o Njeri! Ku je, ku të të gjejë tani?!

Një ditë, nga ditët kur e kujtoj…

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME