Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËZgjedhjet e reja në Rrogozhinë më 23 korrik/ Berisha nis fushatën: Mbroni...

Zgjedhjet e reja në Rrogozhinë më 23 korrik/ Berisha nis fushatën: Mbroni fitoren

Të dielën e 23 korrikut, qytetarët me të drejtë vote do të shkojë sërish në kutinë e votimit dhe do të votojnë për kreun e ri të bashkisë së Rrogozhinës, pas vendimit për përsëritje të zgjedhjeve lokale në këtë bashki.

Ndaj dhe Sali Berisha ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Demokratike në këtë bashki, të cilëve iu ka kërkuar të punojnë fort gjatë këtyre 3 javëve për të mbrojtur fitoren. Ish-kryeministri përsëriti qëndrimin se përballë opozitës është makineria shtetërore që tjetërson vullnetin e qytetarëve, teksa në krahun e tij ishte ulur dhe deputeti Ervin Salianji.

Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që votuan për ndryshimin në Rrogozhinë në zgjedhjet e 14 majit si dhe për kandidatin Shkëlqim Hoxha. Po ashtu Berisha u shpreh se përballë qytetarëve dhe opozitës është makineria e një shteti e cila bën gjithçka për tjetërsimin e votës, ndaj kërkohet shumëfishim i përpjekjeve për të mbrojtur fitoren. Berisha kërkoi një punë serioze me të gjithë votuesit për t’i afruar ata në kutinë e votimit.

”Kërkoj nga të gjithë anëtarët, simpatizantët, strukturat tona të mobilizohen më shumë se kurrë, të riskedulojnë të gjitha agjendat e tyre, në mënyrë që këto tri javë të mobilizohemi me të gjithë forcën për të mbrojtur fitoren që na e besuan qytetarët e Rrogozhinës. Me besim të plotë tek ju, dhe me falënderim e mirënjohje të thellë ju ftoj ta vazhdojmë këtë betejë për të rikonfirmuar dhe njëherë më 21 korrik fitoren e merituar të Çim Hoxhës”,-tha Berisha.

FJALA E PLOTË

Së pari, dua të shpreh nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të thellë për fitoren tuaj të merituar dhe të shkëlqyer më 14 maj. Shembulli, puna juaj, arritja juaj, suksesi që arritët më 14 maj është frymëzim për çdo demokrate e demokrat për të gjithë Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

Unë gjithashtu dua të falënderoj Shkëlqim Hoxhën, i cili, ju them ju, disa muaj më parë kur mori pjesë në garën e Primareve, mori pjesë i bindur dhe besim të plotë tek ju, se do të fitonte Rrogozhinën dhe kishte besim të madh tek qytetarët e kësaj bashkie në vlerësimin e tyre.

Padiskutim që ky terren ishte ndër terrenet më të vështira, por frymëzimi i tij, puna e tij, puna e secilit prej jush, bëri që të keni një fitore të padiskutueshme, një fitore të cilën Edi Rama e grabiti në mënyrën më të paskrupullt dhe më të padrejtë.

Ju, në fushatën elektorale të 14 majit arritët të shënoni një kthesë të madhe elektorale. Pra, të bindni me qindra dhe mijëra zgjedhës të Rrogozhinës, fshatrave përreth dhe kjo është një meritë e madhe. Çim Hoxha është një demokrat, një njeri i suksesit, demokrat i përkushtuar me kontribute reale të çmuara në PD në kohërat më të vështira të saj. Ka aftësi të shkëlqyera menaxhimi, drejtimi dhe kam bindjen më të madhe se ai do të jetë kryetari i bashkisë, më i suksesshmi që ka patur Rrogozhina.

Por, në qoftë se të gjitha këto janë në anën tonë, përballë nesh është qeveria që nuk njeh asnjë normë dhe asnjë moral. Përballë nesh janë institucionet e një shteti, e një makinerie që mbjell frikë dhe që përdor të gjitha format. Na mbetet ne, të shumëfishojmë punën. Na mbetet ne, që me ato listat e zgjedhësve të trokasim në çdo derë, të takojmë çdo njeri që ka votuar për ne. Të takojmë çdo njeri që nuk pranon t’i merret në këtë mënyrë me njerëz të zhveshur nga çdo normë morale dhe ligjore, tjetrit fitorja nga duart.

Nuk ka diskutim se, qoftë KAS-i, qoftë Kolegji Zgjedhor, sikur munimumin e minimumit të integritetit njerëzor po të kishin, nuk mund të merrnin vendim tjetër, veçse të shpallnin fitoren e Çim Hoxhës. Nuk mund të merrej kurrë vendim tjetër, përveç skartimit të kutisë së qendrës së votimit që ishte ngritur në kundërshti me çdo ligj dhe rregull. Nuk mund të merrej asnjë vendim tjetër, përveç zhvlerësimit të atyre fletëve, që ata që kishin votuar i kishin zhvlerësuar vet, dhe tani i shpallnin të vlefshme.

Pra, jemi në këtë situatë. Çimi më tha një fjalë: “E shoh tha, që njerëzit janë të revoltuar nga padrejtësia që na është bërë.” Dhe kjo është e vërtetë, e drejta ekziston për çdo njeri, dhe çdo njeri çfarë do që të ketë, kur ka një karakter dhe ka një normë, nuk pëlqen një padrejtësi flagrante, të hapur. Kështu që, në këtë fushatë ne duhet të synojmë të marrim vota edhe në krahun tjetër, te të gjithë ata të cilët e shohin se, këto ishin vendime amorale, antilgjore, vendime me të cilat u grabit fitorja e qytetarëve të Rrogozhinës. Vendime me të cilat u ndëshkuan në një farë mënyrë zgjedhësit e Rrogozhinës për të votuar për së dyti, në një kohë kur ta kishin votuar dhe kishin nxjerrë fitimtarin, kishin dhënë mandatin Çim Hoxhës.

Verë është. Njerëzit edhe largohen, por na përket që këto tri javë të bëjmë gjithçka. Çdo mundësi që kemi, çdo njohje, çdo lidhje në Rrogozhinë, në Kavajë dhe kudo që t’i kemi njerëzit tani, të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur fitoren që kërkon të na e marrë me arbitraritet dhe imoralitet Edi Rama dhe qeveria e tij.

Të kontrollojmë listat e votimit, kush votoi dhe sa nga njerëzit që njohim, që janë apo nuk janë në Rrogozhinë, dhe kudo që janë të qëmtojnë, t’i gjejmë dhe të bëjmë gjithçka për t’i sjellë atë ditë për të votuar për Shkëlqim Hoxhën dhe fitoren e tij.

Nuk është e lehtë, unë jam i vetëdijshëm, por është plotësisht e mundshme. Ne nuk po bëjmë gjë tjetër, vetëm po mbrojmë një fitore e cila u faktua në mënyrë të pakundërshtueshme, se e firmosën qytetarët e Rrogozhinës dhe të fshatrave, zonave përreth. Jam i bindur, se me punën tonë, me mundin, ne do bëjmë që edhe më shumë të firmosin më 21 korrik, Çim Hoxha të fillojë detyrën si një kryetar i Bashkisë Rrogozhinë. Së bashku me Kavajën, këto bëhen djepi i ndryshimeve të mëdha, jo vetëm të Shqipërisë së mesme, por të mbarë vendit.

Edhe njëherë, ju falënderoj me shumë mirënjohje. Kërkoj nga të gjithë anëtarët, simpatizantët, strukturat tona të mobilizohen më shumë se kurrë, të riskedulojnë të gjitha agjendat e tyre, në mënyrë që këto tri jaëv të mobilizohemi me të gjithë forcën për të mbrojtur fitoren që na e besuan qytetarët e Rrogozhinës. Me besim të plotë tek ju, dhe me falënderim e mirënjohje të thellë ju ftoj ta vazhdojmë këtë betejë për të rikonfirmuar dhe njëherë më 23 korrik fitoren e merituar të Çim Hoxhës. Ju falënderoj shumë!

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME