Lula është një nga politikanët më me ndikim dhe më të qëndrueshëm të Amerikës Latine. Një burrë shteti me gjuhën e argjendtë që Barack Obama e përshëndeti dikur si “presidenti më popullor në Tokë”.
Por nëse nuk do të kishte qenë për një kritikë nga Fidel Castro gati katër dekada më parë, Luiz Inácio Lula da Silva mund të kishte braktisur atë që do të dëshmonte një nga karrierat politike më të njohura që rajoni ka njohur ndonjëherë.
“Ai i dha atij një shkundje”. Kështu shprehet biografi dhe miku i Lulës, Fernando Morais, për momentin kur revolucionari kuban e kritikoi ashpër sindikalistin brazilian. Kritikat e Kastros erdhën pasi Lula po mendonte të hidhte peshqirin. Lula mendonte dorëzimin pasi dështoi në përpjekjen e tij për t’u bërë guvernator i São Paulos në 1982.
“Dëgjo, Lula… nuk ke të drejtë të braktisësh politikën. Ju nuk keni të drejtë t’ia bëni këtë klasës punëtore, ” – i tha Castro brazilianit gjatë një udhëtimi në Havana, sipas biografisë më të shitur të Morais. “Kthehuni në politikë!”
Kronisti i Lulës beson se ishte një moment kyç në jetën e Lulës, i cili mori për zemër këshillën e mikpritësit të tij kuban.
Katër vjet më vonë, në 1989, ish-djaloshi që pastronte këpucë dhe punëtori i fabrikës, nisi tentativën e tij fillestare por të pasuksesshme, për t’u bërë presidenti i parë i klasës punëtore të Brazilit. Ai humbi dy zgjedhje të tjera presidenciale, në 1994 dhe 1998, përpara se të arrinte përfundimisht qëllimin e tij në 2002. Një triumf historik që ndezi një valë emocionesh dhe shpresë mbarëkombëtare.
“Kam qarë aq shumë”, kujtoi Morais momentin kur pa Lulën t’u drejtohej turmave në rrugën kryesore të São Paulos, Paulista, pas fitores së tij. “Ishin lot gëzimi dhe përmbushjeje”, tha shkrimtari. “Më preku thellësisht.”
Historia e Lulës, i cili ka rifituar presidencën pas një fitoreje të ngushtë ndaj Jair Bolsonaro të dielën, fillon në shtetin verilindor të Pernambuco-s, zonën e varfër rurale ku ai lindi në vitin 1945.
Në moshën shtatë vjeçare, Lula migroi në jug me nënën e tij, Dona Lindu, dhe gjashtë vëllezërit e motrat, në kërkim të një jete më të mirë. Ata përfunduan pranë qytetit port të Santos në bregun e São Paulo. Tre vjet më vonë, familja e Lulës u transferua në kryeqytetin e shtetit dhe, pa para në dorë, mori me qira dhomën e pasme të një lokali. Dhomë të cilën Lula e kujton si një “stallë derrash”.
“Në mes të natës [të dehurit] hynin për të pshurruar ose për të vjellë. Kur binte shi, minjtë dhe bretkosat do të fshiheshin nga rruga. Dhe të nesërmen do t’u duhej atyrë të pastronin gjithçka” tha Morais.
Biografi i Lulës beson se ato përvoja ishin të vështira, dhe vazhdojnë të jenë. Janë ato që i bënë miliona brazilianë t’i besojnë një lideri, historia e jetës së të cilit pasqyron të tyren.
“[Njerëzit mendojnë], ky djalë është njësoj si unë. Ai është përballur me të gjitha tragjeditë e njëjta që kam hasur unë. Ai ka ndarë një shtëpi me dy dhoma me 27 persona të tjerë, “ tha Morais.
Në São Paulo, Lula adoleshent punoi si djalë zyre përpara se të stërvitej si tornitor gjatë fillimit të viteve 1960. Një periudhë që Brazili ishte zhytur në dy dekada diktaturë ushtarake.
(Lula përshëndet mbështetësit gjatë një mitingu të fushatës në prag të zgjedhjeve presidenciale në São Paulo.)
Sipas Morais, i cili u takua me Lulën në fund të viteve 1970 në qendrat e prodhimit të São Paulos, në ato ditë presidenti i ardhshëm i Brazilit ishte më i interesuar për futbollin sesa për politikën. Kur një agjent nga partia e atëhershme e fshehtë komuniste u përpoq ta rekrutonte atë në një stol jashtë një kishe, “Lula ishte i zemëruar”.
Por rënia e punës së fabrikës dhe shtypja e regjimit ushtarak të Brazilit 1964-85 shërbeu si një thirrje zgjimi.
“Vetëm duke parë vuajtjet e përditshme të të qenit punëtor brazilian, pagat e ulëta, kushtet më të këqija të imagjinueshme të punës, mendja e tij filloi të ndryshonte”, tha Morais.
Kur vëllai i Lulës u rrëmbye dhe u torturua nga forcat e sigurisë në vitin 1975, kjo ishte pika e fundit. “Ishte një moment vendimtar,” tha Morais.
Lula u zhyt në lëvizjen punëtore dhe në 1979 udhëhoqi një seri grevash historike. Duke çimentuar kështu pozicionin e tij si lideri më i famshëm i sindikatave të Brazilit. Këto suksese i hapën rrugën për krijimin e Partisë së Punëtorëve (PT) që Lula e drejton edhe sot.
Pasi mori pushtetin në vitin 2002, Lula përdori të ardhurat e papritura nga një bum i mallrave për të ndihmuar miliona qytetarë të shpëtonin nga varfëria, dhe u bë një burrë shteti i respektuar ndërkombëtar. Ai ndihmoi Brazilin të siguronte Kupën e Botës 2014 dhe Olimpiadën 2016.
“Ai e bëri Brazilin një lojtar të rëndësishëm në skenën botërore. Brazili ishte një vend serioz. Ai ndihmoi në krijimin e G20, vendosi marrëdhënie me “BRICS” [Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut]. Brazilianët u emëruan për të drejtuar Organizatën Botërore të Tregtisë dhe Organizatën e Ushqimit dhe Agrokulturës, ” tha Richard Bourne, biografi britanik i Lulës.
Lula u largua nga pushteti në vitin 2010 me një popullaritet afër 90%. Por dekada e ardhshme ishte brutale për të majtën dhe partinë e tij. Partia e Punëtorëve u përfshi në një seri skandalesh të shumta korrupsioni. Partia u fajësua për zhytjen e Brazilit në një recesion të egër. Pasardhësja e Lulës, Dilma Rousseff, u fajësua në vitin 2016 në atë që shumë mbështetës e quajtën “grusht shteti” politik.
(Luiz Inácio Lula da Silva pas fitores së tij në 2002.)
Dy vjet më vonë Lula u burgos pasi u dënua për akuza korrupsioni. Ato u rrëzuan vitin e kaluar. Duke i hapur kështu rrugën ofertës së tij të bujshme për të rimarrë postin e presidentit.
Lula do të kalonte 580 ditë pas hekurave, kohë gjatë së cilës u zgjodh si President ish-ushtaraku i ekstremit të djathtë Bolsonaro. Ky nisi një epokë të shkatërrimit të Amazonës dhe izolimit ndërkombëtar.
Por veterani i majtë e përdori kohën e tij të burgut me mençuri. Ai komplotoi atë që vetëm pak vite më parë dukej një rikthim i paimagjinueshëm në pallatin presidencial në Brasília.
Të dielën në mbrëmje, rikthimi i tij mahnitës u konfirmua. Ai u zotua të ribashkonte vendin e tij, duke u thënë gazetarëve në një hotel në São Paulo: “Ne do të jetojmë kohë të reja paqeje, dashurie dhe shprese”.
THE GUARDIAN